PD publikon videon, Veliaj ndihet i frikësuar nga vizita që kryetari Basha i bën të rinjve në dhomën e konviktit

22:54 | 4 Shkurt 2020
A. B.

Me anë të zëdhënëses Ina Zhupa, Partia Demokratike shprehet se akuzat e ngritura nga Bashkia e Tiranës ndaj Bashës nuk qëndrojnë.

Zhupa ka publikuar edhe një video ku shohet kreu i PD teksa flet me recepsionisten.

“Atëherë kur mendon se ka prekur limitet e qesharakes Erion Veliaj befason serish. Ketë herë, përtej fasadës që përcjell në videot dhe fotot e propagandës se tij, ndihet i frikësuar nga vizita qe kryetari i PD i bën disa të rinjve në dhomën e tyre në konvikt. Atë që s’e ka bere dot Ramiz Alia në grahmat e komunizmit në qytetin Studenti, mundohet ta realizoje pinjolli i rilindjes në krye të bashkisë moniste.

Në asnjë vend të botës së lirë kryetari i opozitës nuk pengohet të vizitojë një ambient publik apo të takojë studente. Kjo mund të ndodhe në Korenë e Veriut. Ose në Tiranën e Erion Velisë, ku thjesht një vizite i tremb për vdekje se mos çjerr fasadën qe përcjell propaganda. Edi Rama, Erion Veliaj dhe gjithë të tjerët të jenë të sigurt se Lulzim Basha do të vijojë të takojë qytetarë çdo ditë.

Askush nuk mund ta ndaloje misionin e opozitës. Të tregoje të vërtetën që propaganda e stisur dhe e blere shtrenjte nga oligarkët e qeverise përpiqet t’u servirë shqiptareve”, shkruan Ina Zhupa.

Çfarë pretendon Bashkia e Tiranës

Bashkia e Tiranës ka paditur në polici kreun e Partisë Demokratike, Lulëzim Bashën për dhunë ndaj recepsionistes në godinën numër katër në qytetin studenti.

Pasditen e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me 4 shoqërues të tij, jo studentë, të pajisur me kamera për show-n e radhës, ka hyrë me dhunë në mjediset e brendshme të Godinës Nr. 4 në Qytetin Studenti.

Bashkia e Tiranës dënon dhunën e ushtruar ndaj recepsionistes së Godinës nr. 4 në Qytetin Studenti nga qytetari Basha dhe tabori i tij i figurantëve, që prej disa ditësh kanë nisur të xhirojnë klipe nëpër Tiranë, si këngëtarë tallavaje, dhe dëshiron të informojë qytetarët se ka nisur menjëherë procedurat për denoncimin e tij para organeve ligjzbatuese si dhunues.

Bashkia e Tiranës sqaron se në mjediset e godinave të Qytetit Studenti mund të hyhet vetëm duke marrë një leje paraprake pranë Drejtorisë së Konvikteve, procedurë e cila ndiqet rigorozisht edhe nga familjarët e studentëve që banojnë në ato godina. Lulzim Basha nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë leje për të hyrë në Godinën nr.4.

Ndërkaq, Godina nr.4 është një nga ndërtesat e cila do të rikonstruktohet sipas projektit të kancelares gjermane Angela Merkel, i cili po zbatohet nga KFW-ja. Kjo e fundit ka ndihmuar edhe në rikonstruksionin e godinave të studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë, tashmë të përfunduara, e ndërkohë po vijon punën për rikonstruksionin e 4 godinave të tjera në Qytetin Studenti. Në total, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar 22 konvikte për studentët që studiojnë në Tiranë.

Nisur nga kjo, duam t’i drejtojmë disa pyetje aktorit Lulzim Basha: Sa konvikte keni rikonstruktuar apo ndërtuar, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës? Sa shkolla keni rikonstruktuar apo ndërtuar, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës? Sa karta studenti keni dhënë për studentët e Tiranës, në 4 vjet si kryetar i Bashkisë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë: Zero! Zero! Zero! Sepse Lulzim Basha jo vetëm që nuk ndërtoi e as rikonstruktoi ndonjë konvikt për studentët, por sot drejton partinë që zaptoi 3 konvikte për 30 vjet.

Lulzim Basha, në sytë e qytetarëve të Tiranës si ish kryetar i Bashkisë është një zero, i cili nuk do të bëhet kurrë Kryeministër me një CV të mbushur me zero në çdo punë të dhuruar nga partia, që po e shkatërron përditë. CV-në e mbushur me zero nuk do mund t’ia pastrojnë as videot e xhiruara nëpër Tiranë me figurantë të marrë borxh nga Forumi Rinor i PD-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme