Maxhoranca dhe opozita pritet të hedhin sot në seancë plenare hapin e parë të asaj që për demokratët është nisja për reformimin e politikës, ndërsa për shumicën reforma që do të mundësojë më në fund votimin e shqiptarëve në të gjithë botën.
Konferenca e Kryetarëve dha dakordësinë për të miratuar komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore, nga ku pritet të miratohen ndryshime të thella në Kodin Zgjedhor dhe ndoshta edhe në sistemin zgjedhor.
Kërkesat kryesore të Partisë Demokratike në këtë reformë janë mundësimi i votimit dhe numërimit elektronik, duke nisur nga zgjedhjet vendore të vitit 2019. Ndërkohë që socialistët janë shprehur pro këtyre ndryshimeve, por duke veçuar si me mjaft rëndësi mundësimin për herë të parë të votimit të emigrantëve.
DEKRETET
Në seancë plenare, me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pritet të përfshihen edhe dekretet e Presidentit Nishani për ligjin e mbetjeve dhe për dhomat e tregtisë dhe industrisë. Të dyja këto dekrete qëndruan për muaj me radhë në Kuvend duke mos kaluar në komisionet parlamentare. Ishte vendimi i shumicës për t’u tërhequr nga këto dy propozime ligjore që nxitën kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, t’i kalonte në komisionet parlamentare ku edhe u miratuan.
Ligji i shumëdebatuar për mbetjet urbane u rrëzua nga Presidenti Nishani, ndërsa vetëm tri ditë më parë Komisioni i Veprimtarive Prodhuese vendosi të miratojë dekretin duke e rrëzuar përfundimisht ligjin. Maxhoranca ka deklaruar se do të miratojë një ligj të ri për mbetjet. Të njëjtin fat pati edhe propozimi ligjor për dhomat e tregtisë dhe industrisë.
REFORMA
Në seancën e sotme do të diskutohen dhe miratohen edhe dy projektvendime për strukturën dhe organikën e Komisionit të Vetingut, si dhe projektvendimi në lidhje me pagat e komisionerëve që do të punojnë në këtë institucion. Partia Socialiste ka vendosur t’i qëndrojë propozimit të saj për reduktim të numrit të punonjësve të propozuar nga vetë institucioni që do të bëjë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në seancë Partia Demokratike do të paraqesë amendamentin e saj ku do t’i kërkoi Kuvendit të miratojë kërkesat e komisionerëve, duke theksuar se ligji u siguron institucioneve të rivlerësimit personelin e nevojshëm për të përmbushur detyrat. Në amendamentin e paraqitur nga PD thuhet se “Kuvendi është i detyruar nga ligji të sigurojë stafin e nevojshëm për organet e rivlerësimit, duke e konsideruar numrin e personelit të propozuar prej tij si numër minimal të nevojshëm”. Debat të gjatë parlamentar pritet të prodhojë edhe akti normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2017. 1. Akti normativ nr. 2, datë 16.8.2017 “Për disa ndryshime në ligjin r. 130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017” 2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, që plotëson Konventën Europiane për Ekstradimin, të vitit 1957” 3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2016, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës energjetike, faza II” 4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i Policimit të Komunitetit në Shqipëri” (2017-2020)
PËR MIRATIM NË SEANCË
1. Projektvendim “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese”; 2. Projektvendim “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”; 3. Projektvendim “Për miratimin e strukturës dhe klasifikimin e pagave të Komisionerit Publik”; 4. Dekreti nr. 9765, datë 14.10.2016 “Për kthimin e ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”; 5. Dekret nr. 7969, datë 18.10.2016, “Për kthimin e ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, të ndryshuar”.
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi