Google ADS

PD: Policia e Ramës ka rrëmbyer kuksianët

21:17 | 1 Prill 2018
Trina Galanxhi

Kreu i PD-së Lulzim Basha i shoqëruar edhe nga dhjetëra deputetë të opozitës ka akuzuar Edi Ramës se po ushtron terror ndaj Kukësit dhe kuksianëve.

Sipas Bashës, ‘policia e Edi Ramës është hedhur në aksion tipik diktatorial. Arrestimet në mes të natës kanë vetëm një qëllim, terror ndaj Kukësit dhe shqiptarëve që ata të mos ngrihen’.

Pjesë nga deklarata e kreut të PD-së, Lulzim Basha:

Prokuroria dhe policia patën 1 javë për të arrestuar trafikantin ndërkombëtar Arbër Çelaj, që bashkë me pushtetarët socialistë trafikuan 613 kilogramë kokainë.

Po të njëjtët dje mobilizuan qindra e qindra policë për të arrestuar qytetarët kuksianë.

E njëjta polici, që lë të lirë Agron Xhafën, Habilajt etj., me urdhër nga Edi Rama u hodh në sulm për të arrestuar popullin kuksian.

Policia e Edi Ramës është hedhur në aksion tipik diktatorial. Arrestimet në mes të natës kanë vetëm një qëllim, terror ndaj Kukësit dhe shqiptarëve që ata të mos ngrihen.

Shumica e qytetarëve janë rrëmbyer në mes të natës nga policia. Kjo përbën vepër të rëndë penale, atë të rrëmbimit.

Për këtë akt kriminal, këshilltarët bashkiakë kanë kallëxuar penalisht policinë dhe prokurorinë e Kukësit.

Ne nuk tërhiqemi, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të protestuesve. Ata duhet të hetohen në gjendje të lirë. I bëj thirrje prokurores së përgjithshme të përkohshme që të ndalë menjëherë së vepruari si zyrë e Edi Ramës.

I bëj thirrje qytetarëve të Kukësit, të mos tremben e tërhiqen sepse jeni duke luftuar për të drejtën tuaj.

Kukësi ka njohur luftëra të shumta, e diktaturë, por kuksianët kurrë nuk janë ulur. Edi Rama është një plaçkitës.

Ne jemi me ju, e gjithë Shqipëria është me ju, të gjithë shqiptarët nga Prishtina në Sarandë janë me ju./syri.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme