PD emëron drejtuesit politikë në 3 qarqe, brenda dhjetorit ekipi i plotë

09:41 | 23 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Partia Demokratike ka bërë publikë emrat e tre drejtuesve politikë në qarqe. Për Shkodrën do jetë Helidon Bushati, për Fierin Enkelejd Alibeaj dhe për Vlorën Bujar Leskaj.

Nënkryetari i PD Edi Paloka, thotë se brenda dhjetorit do emërohen dhe të tjerët. Si u paraqitën këto qarqe në zgjedhjet e vitit 2017 për PD. Gropa e votave në Shkodër dhe Vlorë, dhe ruajtja e ekuilibrit në Fier.

Partia Demokratike ka prezantuar dje dy emrat e drejtuesve politikë të qarqeve Shkodër dhe Fier. Ata do jenë Helidon Bushati dhe ish-deputeti i qarkut Fier Enkelejd Alibeaj. Së bashku me ish-kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të emëruar në Vlorë që në muajin nëntor, shkon në tre numri i qarqeve që kanë një drejtues politik për fushatën elektorale. Nënkryetari i PD-së Edi Paloka, u shpreh disa ditë më parë në një dalje televizive se deri në fund të dhjetorit, do të plotësohen të gjitha qarqet me drejtuesit politikë, që do udhëheqin fushatën atje.

Deri më tani duket se ka pasur një lloj hezitimi nga ana e kryetarit Basha për vendosjen e gjithe drejtuesve të qarqeve. Kjo ndoshta ka ardhur dhe për shkak se kryetari i druhet pakënaqësive të shfaqura pas votimit nga anëtarësia dhe rekomandimin e disa emrave nga ana e Komisionit të Vlerësimit për të mos qenë në listë.

Fieri
Por, si kanë dalë këto tre qarqe në vitin 2017 krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013. I vetmi që ka ruajtur rezultatin e votave të opozitës, ka qenë Enkelejd Aliebaj në Fier, me 46 mijë vota. Në fakt si koalicion e djathta pa PDIU atëherë në koalicion rezulton me një rënie prej dhjetë mijë votash, por kjo mund të shpjegohet me rritjen e PS-së në këtë qark, me gati 15 mijë vota.

Në vitin 2013 PS si parti mori 89637 vota ndërsa në vitin 2017, pra pas katër vitesh konsumim të pushtetit mori 104.196 vota ose 14559 vota më shumë. Një rritje të lehtë ka pasur dhe LSI me 1700 vota në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, e cila në 2017-ën mori dy deputetë aq sa kishte marrë dhe katër vjet më parë.

Në rast se opozita do dilte e bashkuar në vitin 2017 do kishte marrë të paktën 7 deputetë, me 74 mijë votat që morën PD-LSI-PDIU. Në këtë qark për shkak të ndarjes dhe për shkak të sistemit ajo mori vetëm 6 deputetë, ndërsa PS e vetme mori 10 deputetë në raport me 9 deputetë që arriti të merrte katër vite më parë.

Shkodra
Në Shkodër PD dhe ish-drejtuesi i qarkut Romeo Gurakuqi shfaqi një performancë të dobët në zgjedhjet e vitit 2017. Nga gati 50 mijë votat që mori PD-PR në këtë qark në vitin 2013 në 2017-ën shifra shkoi në 40 mijë vota, në total koalicioni në atë kohë mori 54 mijë vota dhe efekti i PDIU ishte vetëm 270 vota.

Në ndryshim me Fierin, PS si subjekt pati rritje vetëm me rreth 1500 vota, ndërkohë që LSI ruajti kuotat e veta. Shifrat e ulëta shpjegohet jo vetëm me performancën e dobët të listës atje, por edhe me mënyrën se si u zhvillua fushata nga të dërguarit e PD. Në këtë qark dhe në rast se do kishte hyrë e bashkuar opozita, sërish rezultati nuk do të ndryshonte. PD 5 deputetë, LSI 1 pra jo më shumë se gjashtë deputetë.

Ndërsa nëse do ishin marrë votat e vitit 2013 do ishte një mandat më shumë për PD dhe PS nuk do arrinte të merrte më shumë se 3 deputetë. Për sa i përket Helidon Bushatit, ky në vitin 2017 pranoi t’i hapte rrugën në listë Gjok Uldedës që vinte si përfaqësim i Vaut të Dejës. Ky gjest u vlerësua shumë në atë kohë, jo vetëm nga kryesia e partisë por edhe nga anëtarët. Më pas, Bushati u zgjodh anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, detyrë që e ushtron deri më sot. Ditën e djeshme Bushati është prezantuar në Shkodër si drejtues i qarkut nga sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi.

Vlora
Edhe Vlora do paraqitej dobët në zgjedhjet e vitit 2017, në raport me katër vjet më parë, por besohet se në këtë qark ka luajtur efekt dhe manipulimi i votës. Kjo sepse PS është rritur me 9 mijë vota, ndërsa koalicioni i djathtë po të heqim votat e PDIU-së në koalicion në vitin 2013 ka rënie me rreth 8 mijë vota.

Si përfundim, PD nuk arriti të merrte më shumë se 3 mandate duke mbetur jashtë kuvendit dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së së asaj kohe Arben Ristani, që ishte dhe drejtues politik. Një rezultat i papranueshëm për një qark i cili nxjerr 12 deputetë. Ky rezultat nuk do ndryshonte dhe në rast se opozita e asaj kohe do të hynte e bashkuar.

Dërgimi i Bujar Leskajt në këtë qark mendohet si një zgjidhje unifikuese për përçarjet që ka ky qark. Leskaj ka qenë deputet në legjislaturën e vitit 2005-2009. Që prej vitit 2012 ka mbajtur postin e kreut të Kryetarit të Lartë të Kontrollit të shtetit. Vendosja e tij si i deleguar në krye të qarkut të Vlorës, përballë ish-ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri duket se e ka zënë në Befasi Ramën, i cili nuk lë rast pa e sulmuar sa herë zbarkon në Vlorë./mapo.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme