Pazari i Gjirokastrës do të rikthehet në gjendjen e mëparshme

19:39 | 15 Mars 2019
Arbresh.info

Pohimi ka ardhur nga drejtuesit e zbatimit të projektit të rehabilitimit të qafës së pazarit në qytetin e gurtë gjatë një takimi të kërkuar nga këshilltarët bashkiakë dhe bizneset e zonës.

Inxhinieri Pavli Miço theksoi se tashmë është kryer rreth 40% e punimeve. Pas ndërtimit për herë të parë të infrastrukturës nëntokësore, kalldrëmi do të rikthehet në gjendjen e mëparshme duke ruajtur të gjitha elementet origjinale të ndërtimit dhe duke shmangur ripërsëritjen e situatave të mëparshme ku restaurimi i kalldrëmeve ka qenë jashtë standardeve.

“Në projekt është parashikuar të hiqet kalldrëmi, të magazinohet dhe gurët në gjendje të mirë do të rivendosen. Do të ndërtohen trotuaret. Kur kemi nisur këtë punë e dinim shumë mirë situatën në kalldrëmet e mëparshme. Nuk do të ndodhë ajo që ka ndodhur në Varrosh. Do të bëhet ndërtim i rrjetit të kanalizimit ujërave të teza, të shiut, furnizimi me ujë, energji, fibër optike, telefonike, kundër zjarrit në segmentin e Qafës së Pazarit. Gjendja do të kthehet siç ishte me të njëjtët gurë, pllaka. Do të ketë edhe realizimin e disa punimeve shtesë si sheshe, çezma. Rëndësi e veçantë ruajtja e materialeve që na dalin gjatë çmontimit të trotuareve dhe kalldrëmeve”, tha Pavli Miço.

Punimet e kryera në pazarin e Gjirokastrës kanë nxjerrë në dritë. gjurmët e hershme të qytetit. Sipas inxhiniereve po pritet ende një përgjigje nga drejtoria e monumenteve nëse gjetjet që konsiderohen të rëndësishme për historikun e qytetit do të ruhen dhe konservohen.

Pilo Dhame, inxhinier zbatimi në këtë projekt ka kritikuar projektin e infrastrukturës nëntokësore që sipas tij ishte i pazbatueshëm në terren dhe nuk jepte zgjidhje për kanalizimet e ujërave. Ai ngriti akuza edhe ndaj drejtorisë së monumenteve për pengesa gjatë punimeve.

“Një pjesë e bizneseve që operojnë në zonën muzeale kanë mbetur jashtë projektit duke mos u përfshirë në rrjetin e kanalizimeve dhe ujësjellës. Ata kanë kërcënuar edhe me pengim të punimeve nëse nuk do të rishihet mundësia e një shtese fondi që do të përfshijë edhe këto biznese në infrastrukturën nëntokësore”,- tha ai.

Projekti i rehabilitimit të Qafës së Pazarit duket se nuk jep zgjidhje për qarkullimin e automjeteve në Qafën e Pazarit. Krye bashkiakja Rami që u shpreh optimiste për cilësinë e punimeve në përfundim të projektit, tha se aktualisht është gjetur dhe menduar një zgjidhje alternative për qarkullimin e mjeteve dhe linjave urbane, por që nuk jep një zgjidhje përfundimtare në mungesë të një by passi dhe në kushtet kur rrugët e kalldrëmta që po rehabilitohen, do të kthehen në pedonale.

Punimet në Qafën e Pazarit nisën në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Projekti me vlerë mbi 137 milion lekë ka një afat zbatimi njëvjeçar. Prishja e kalldrëmeve të ndërtuara në vitin 1968, u shoqërua me reagime të ashpra dhe dyshimin e fortë jo vetëm të cilësisë së punimeve, por edhe të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në një qytet pjesë e UNESCO. Rehabilitimi i infrastrukturës nëntokësore të qafës së pazarit është vazhdim i projektit të rehabilitimit të kësaj zone, faza e parë e të cilit u përmbyll me restaurimin e fasadave të ndërtesave një vit më parë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme