Patozi: Jemi shumicë, nëse Berisha na del përballë, do jemi edhe kundër tij

09:44 | 19 Shtator 2017
Arbresh.info

Lëvizja e Astrit Patozit kundër Lulzim Bashës do të vijojë brenda Partisë Demokratike. Ai tha në Top Story se ka një alternativë të brendshme në PD, që sipas tij e bën partinë më përfaqësuese.

“Unë bashkë me kundërshtarët e Lulzim Bashës dhe këtë fluks demokratësh janë shumë më tepër sesa të përjashtuarit nga lista për deputetë. Kush hap debatin e listës do ta fshehë problemin”, deklaroi ai.

Sipas Patozit përçarja e partisë shmanget duke njohur kritikët si alternativë dhe testimi i kësaj alternative.

“Që ne të vazhdojmë bashkë, që kjo parti të mos shkërmoqet, duhet që Basha ta njohë si alternativë dhe ta njohë sesa vlen. Ne mendojmë se sot jemi shumica, mund të jemi gabim, por duhet të provohet. Por, alternativa “Basha” është e dështuar dhe kjo është e provuar”, tha Patozi.

Mungesa e përfaqësimit, tha Patozi, është problemi kryesor që duhet zgjidhur sa më parë brenda PD dhe për këtë, ai thotë se alternativa që përfaqëson do t’i imponohet Bashës.

“Ne do t’i imponohemi zotit Basha dhe kujtdo tjetër që mund të qëndrojë para dhe pas tij. Nëse dikush ka diçka në dorë në PD, duhet ta bëjë për mirë, ashtu siç po kërkojmë ne. Do të imponohemi që të vendosen rregulla loje dhe të vendoset menjëherë përfaqësimi. Demokratët kërkojnë që të vendoset përfaqësimi dhe më pas rregulla të qarta loje që të mos na ndodhë kjo thagmë që na ndodhi”, vijoi ai.

Thirrja e Patozit për Lulzim Bashën ishte një.

“Një kryetar që i kanë ikur 220 mijë bletë nga zgjoi në pak vite, duhet të ketë pak koshiencë. Nëse e ka këtë, ka vend për të negociuar dhe bashkëpunuar, nëse jo, do të ishte fundi i asaj partie dhe unë nuk e uroj. Ne nuk jemi kundërshtarë të zotit Basha! Ne kemi kundërshtar Edi Ramën! Na mjafton dhe tepron. Ne jemi alternativë e Bashës, sepse mendojmë që politika nuk mund të funksionojë kështu”, u shpreh ai.

Patozi shprehu bindjen se alternativa nuk do të tërhiqet edhe nëse kundër saj del ish-kryedemokrati, Sali Berisha.

“Nëse zoti Berisha do të na dalë përballë, ne do të jemi edhe kundër tij. Nëse Berisha del dhe të thotë është kundër alternativës, do të jemi edhe kundër tij. Kjo është shumë e thjeshtë!”, tha Patozi.

Patozi thotë se Basha nuk mund t’ja lejojë më vetes një tjetër farsë zgjedhore brenda partisë, ndërsa sheh si rrugë për shpëtimin nga ajo që e quajti “sindromë të humbjes” , alternativën tjetër brenda PD.

Ai tha se është duke u ndërtuar platforma e alternativës anti-Basha dhe ftoi çdo anëtar të PD-së që t’i bashkohet.

“Ne do të ndërtojmë një platfromë dhe do të imponohemi. Ne ftojmë cdo demokrat që të bashkohet me këtë alternativë dhe t’i imponohemi zotit Basha që të ndryshojë. Kam besim që kjo lëvizje, nëse do të pranohet do të jetë një model për të gjithë politikën shqiptare”, deklaroi Patozi.

Sa për kohën? “Sa më shpejt që të ndodhë, aq më mirë!”, vijoi ai.

Patozi akuzoi Bashën se po kopjon në mënyrën më të keqe Sali Berishën.

“Po flasim për një njeri që nuk ka as cilësitë minimale të zotit Berisha dhe kopjon në mënyrën më të keqe të metat e zotit Berisha”, tha ai.

Në fund, ish-deputeti i PD-së tha se alternativa që ai përfaqëson të votohet brenda partisë.

“Ne as lutemi, as përgjërohemi dhe as bëjmë pazar me parimet tona. Por unë dua që PD të kthehet në përfaqësimin real dhe këtë mund të bëjë vetëm përmes zgjedhjeve dhe provës. Dua që kjo atlernativë e jona të votohet dhe pasi të votohet ta dinë demokratët se sa janë”, përfundoi ai. /TopChannel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme