Google ADS

Pas votimit për heqjen e imunitetit, deklarohet Sali Berisha

10:45 | 21 Dhjetor 2023
L G

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur nga ambientet jashtë sallës së Parlamentit për mediat, pasi me 75 vota pro, socialistët i hoqën këtë të enjte imunitetin duke i hapur rrugë arrestimit të tij nga Prokuroria e Posaçme.

Votimin në Kuvend, Berisha e cilësoi si antikushtetues dhe premtoi një qëndresë historike përballë atij që ai e konsideron një plan të mazhorancës së majtë për të shuar Partinë Demokratike dhe opozitën në vend.

“Sot narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Parlamenti sot vazhdoi veprën që tentoi më datën 9 shtator dy vite më parë. Nëse dështoi më 9 shtator ju garantoj se sot do të jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do të mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë dhe nën moton ‘O sot o kurrë’ do t’i japë përgjigjen më të merituar kësaj qeverie. Sot Parlamenti përfundoi në Parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot në parlament jo nga duart zyrtare por nga tunelet që lidhin Parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Beteja e nisur vijon fuqishëm si kurrë më parë dhe ju garantoj se kjo opozitë do të qëndroj e pamposhtur në ruajtjen e idealeve demokratike të saj”, tha Berisha.

Të ngjashme