Pas tërmetit ngeli në mes të rrugës, 88-vjeçarja: Më kanë bërë biznesmene, nuk i di as kuptimin

00:31 | 24 Mars 2021
Trina Galanxhi

Haxhire Gurakuqi është 88-vjeç dhe prej një viti e gjysmë, ajo jeton në shoqatën humanitare “Strehë dhe shpresë”. Për 35 vitet e gjata të punës si ndihmës mjeke, e përkushtimin ndaj rritjes së djalit të vetëm, ky nuk është shpërblimi më i mirë, e as jeta që kish imagjinuar në pleqëri, por çatia mbi kokë i jep një lloj paqeje të munguar.

E ndarë nga i biri prej vitesh, shtëpia me qira ku jetonte në Laprakë u shemb prej tërmetit të 26 nëntorit të 2019-ës dhe e moshuara, mbeti e vetme në mes të katër rrugëve.

“Mbas tërmetit unë kërkova shtëpi me qira, por nuk gjeta kërkund. Kerkund nuk kishte. Kështu që u detyrova pastaj për në azil, por as atje nuk më pranuan. Kam fjetur në një ndërtesë që kishte vetëm tavanin lart; pa dyer, pa dritare, pa drita, pa ujë. Ku të shkoja? Kisha dhe frikë… Ishte ftohtë, ishte nëntor”, thotë e moshuara për “Vetting” teksa kujton ngjarjen.

Një mashtrim i bërë në emër të saj, bën që Haxhireja 88-vjeçare të figurojë me biznes në Lezhë.

“Atje ku bëhen kartat e identitetit, si duket këto janë të lidhura dhe kanë marrë emër dhe mbiemër të miat dhe kanë hapur një biznes në Lezhë. Unë nuk e di se nga bie rruga për në Lezhë, ndërkohë që më kanë bërë biznesmene atje. S’di çdo të thotë kjo fjalë”,shton më tej.

Fjala biznesmene është sa e panjohur për të, aq edhe shqetësuese. Prej letrave që e bëjnë të figurojë e tillë ajo nuk mund të përfitojë asnjë shërbim social.

Madje edhe ndihmën e vogël ekonomike që i dhanë shoqëria e vjetër, nuk mund ta tërheq në bankë, sepse siç i thonë, më parë duhen paguar tatimet e biznesit. Drejtori i shoqatës, Hysni Kuka, thotë se sikur të gjitha këto mos të mjaftonin, për zonjën Haxhire, jo rrallëherë vijnë shkresa ligjore që e bëjnë me përgjegjësi për biznesin, për të cilat ajo as nuk di e as nuk mund të përgjigjet./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme