Disa nga oficerët e Policisë, që u shpallën fitues në konkursin e shumëpërfolur të gradës “Kryekomisar”, janë emëruar në krye të 14 komisariateve në të gjithë vendin.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, firmosi dje ndryshimet në radhët e shefave të komisariateve në disa rrethe, ashtu sikurse pati paralajmëruar disa ditë më parë, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Shkodër.
“Ajo që ndodhi në Shkodër është një ngjarje e rëndë, pavarësisht masave të marra. Policia atje gjatë 2018-s ka qenë shumë prezente. Është një nga qarqet, ku ka ndërthurje të grupeve kriminale dhe fenomenit të gjakmarrjes. Themi situatë e rënduar, por përqindja e veprave penale të evidentuara në Shkodër në 2018-n është vetëm 7%, krahasuar me gjithë Shqipërinë. Drejtori lëvizi për shkakun se duam t’i japim një impuls tjetër, për një ritëm tjetër. Do bëjmë edhe ndryshime të tjera, edhe në Elbasan”, u shpreh Veliu 3 ditë më parë në studion e “A Show” në “News 24”.
Zyrtarisht, Policia e Shtetit tha dje se ndryshimet janë kryer me qëllim që t’i japin një impuls të ri punës së Policisë në parandalimin dhe goditjen e krimit. Por edhe me qëllim promovimin e punonjësve të shpallur fitues në procesin e ngritjes në gradë.
Ndryshimet kanë nisur me një nga komisariatet e Tiranës, duke vazhduar me Dibrën, Matin, Cërrikun, Kukësin, Pogradecin, Gramshin, Skraparin, Kuçovën, Fierin, Peqinin, Përmetin, Mirditën e Tepelenën. Disa nga shefat e komisariateve kanë ndërruar vendet me njëritjetrin, të tjerë janë transferuar në detyra të tjera, në drejtim të komisariatit.
NDRYSHIMET
Në drejtim të Komisariatit nr.3 në Tiranë është emëruar Edmond Meshini, deri tani shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë. Arben Kalaja, që ishte shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Vorë, është emëruar shef në Komisariatin e Policisë Kukës. Shef i Komisariatit të Gramshit është emëruar Vullnet Silaj, i cili ishte shef njësie në Repartin Special “RESI”.
Shefi i Komisariatit të Gramshit, Alfred Maksuti, është emëruar shef i Seksionit të Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Pogradec. Shef në Komisariatin e Matit është emëruar Aldi Mema, i cili ishte shef Seksioni në Policinë Kriminale të Shijakut.
Ndërsa Henerigert Mitri, që ishte shef i Komisariatit të Matit, është transferuar me të njëjtën detyrë në Fier. Në krye të Komisariatit të Peqinit është emëruar Ermal Lilaj, i cili ishte specialist në Departamentin e Policisë Kriminale. Ndërsa Bilal Semanaj, që ishte shef i Komisariatit të Peqinit, është transferuar me të njëjtën detyrë në Cërrik. Në Dibër është emëruar shef Komisariati Gazmend Demrozi, i cili ishte shef Seksioni për Shërbimet Policore në DVP Berat.
Në Komisariatin e Mirditës është emëruar shef Alfred Cenaj, i cili ishte shef i Sektorit të Komandës dhe Kontrollit në DVP Durrës. Ndërsa Medin Hasani, paraardhësi i tij është transferuar me të njëjtën detyrë në Skrapar, ku ishte shef Sokrat Gode, i cili është transferuar në Komisariatin e Kuçovës.
Elidon Çela, që ishte specialist në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, është emëruar shef i Komisariatit të Tepelenës, ndërsa në Komisariatin e Përmetit është emëruar Petrit Gjokaza, që ishte specialist në Departamentin e Policisë Kriminale.
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës