Pas 8 orësh Fatmir Xhafaj largohet nga Ministria e Brendshme

21:39 | 27 Tetor 2018
Trina Galanxhi

Pas afro tetë orësh, Fatmir Xhafaj ka dalë nga godina e Ministrisë së Brendshme, duke u larguar nga zyra e tij, ku nuk do të hyjë më si ministër.

Ministri i Brendshëm i dorëhequr sot zgjodhi të mos japë asnjë prononcim për gazetarët, ndonëse interesi i medias ishte i madh.

Më herët Fatmir Xhafaj iu përgjigj deklaratave të opozitës, duke u shprehur se koha do të mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo.

“Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër. Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo”, tha Xhafaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme