Google ADS

Parku i Apolonisë, së shpejti hap dyert për vizitorët

08:19 | 13 Prill 2017
Arbresh.info

Parku arkeologjik i Apolonisë, i shpallur monument kulture nga viti 1948 është një nga parqet më të frekuentuara nga turistët e huaj dhe ata shqiptarë, duke vazhduar t’i rezistojë kohës dhe mungesës së mirëmbajtjes, si një ndër atraksionet turistike më të vizituara në vendin tonë.

Tashmë, në qendër të vëmendjes nga qeveria dhe nga Ministria e Kulturës, ky park arkeologjik i është nënshtruar një restaurimi rrënjësor, duke e bërë atë të denjë për vlerat historike që përfaqëson. Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni dhe Kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi, inspektuan 3 ditë më parë punimet që janë drejt fundit dhe pritet të sjellin një rritje të numrit të vizitorëve këtë vit.

Projekti i plotë i rehabilitimit të të gjithë parkut të Apolonisë, arrin një vlerë investimi prej 750 mijë eurosh. Për të parën herë projekti është i plotë që nga masterplani deri tek sistemi inxhinierik, deri tek sistemi elektrik, sistemi i pompave të ujit e deri tek itineraret e turistëve.

Kjo përfshin dhe restaurimin e kishës së Shën Mërisë (e ndërtuar rreth vitit 1220 dhe unike në Shqipëri për shkak të konfigurimit të pazakontë të saj në formën e kryqit të brendashkruar), të Manastirit, Trapezarisë, gjithë sistemit të portikëve të statujave dhe të muzeut. Parku i Apolonisë është shumë pranë inaugurimit dhe hapjes së dyerve për një “boom” vizitorësh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme