Organizatorët e kultivimit të kanabisit, në një zonë shumë pranë Aeroportit të Rinasit, kishin punësuar 9 gra, të cilat paguheshin 2 mijë lekë të rinj në ditë.
Ato transportoheshin çdo ditë rreth orës 04:00 të mëngjesit, nga një furgon, lëvizjet e dyshimta të të cilit bënë që të zbulohej parcela dhe tuneli ku u gjetën më pas thasët me kanabis.
Ndryshe nga rastet e vitit të kaluar, kur Policia arrestonte punëtorët e hashashit, këtë herë u vendos që të procedoheshin në gjendje të lirë.
Por dëshmitë që punëtoren kanë dhënë në Polici, kanë qenë vendimtare për të provuar veprimtarinë e jashtëligjshme të 3 organizatorëve dhe 4 ndihmësve.
Burimet thanë se 9 gratë që punonin aty kanë treguar se si funksiononte një ditë pune në parcelën që ndodhej në “Pyllin e Zenelajve”, që nga nisja me furgon, puna që kryenin e pagesa që merrnin në fund.
Ndërsa kanë shpjeguar se ishin të detyruara të bënin një punë të tillë, për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Nga ana tjetër, burimet thanë se në tunelin ku u gjetën thasët me 146 kg kanabis të tharë, prodhim i këtij viti, u sekuestrua edhe një listë me emra personash, që, nga të dhënat, rezulton të kenë qenë po ashtu të punësuar aty.
PERPLASJA
Zbulimi i parcelës me kanabis në një ish-zonë ushtarake, mes fshatrave Fushë- Prezë dhe Valias, shumë pranë Aeroportit të Rinasit, ka sjellë edhe një përplasje juridiksionesh mes Policisë së Durrësit dhe të Tiranës. Kjo, pasi zona ku ishte kultivuar kanabisi ishte në kufirin ku ndahet Policia e Tiranës me atë të Fushë-Krujës.
Përplasja ka të bëjë me tepër me heqjen e përgjegjësisë nga vetja, nisur nga masat që parashikohen në strategjinë antikanabis, që është miratuar në fillim të këtij viti. Burimet thanë se kanabisi i sekuestruar dhe rrënjët që u asgjësuan me djegie, dyshohet të jenë mbjellë në muajin gusht, por as nga Policia e Tiranës, as nga ajo e Durrësit nuk ka pasur raportim për këtë rast.
Për këtë arsye, ka nisur edhe një verifikim nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, në zbatim të porosisë së ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit, për rastet e zbulimit të parcelave dhe kultivimit. Megjithatë, ende nuk është marrë asnjë vendim disiplinor për punonjësit e Policisë.
ORGANIZATORET
Një parcelë me 220 rrënjë kanabis është zbuluar të shtunën shumë pranë Aeroportit të Rinasit, mes fshatrave Fushë-Prezë dhe Valias. Pranë vendit të njohur si “Pylli i Zenelajve”, Policia e Tiranës dhe ajo e Durrësit, zbuluan edhe disa thasë me 146 kg hashash, që dyshohet të jetë prodhim i këtij viti, të fshehura brenda një tuneli.
Organizatorët e kultivimit të hashashit pranë Aeroportit të Rinasit, u zbuluan pas informacioneve nga persona të ndryshëm, të cilët kishin sinjalizuar Policinë për një furgon të dyshimtë, që futej në zonën e pyllëzuar, kryesisht në orët e para të mëngjesit. Zona ku po kultivohej kanabis, që dyshohet se mund të jetë mbjellë gjatë fundit të muajit gusht, është e fshehtë dhe e pa rrahur nga këmbësorët. Burimet thanë se parcela është zbuluar në një terren të vështirë, mes shkurreve dhe organizatorët ishin kujdesur që të mos hapnin rrugë për të kaluar aty, në mënyrë që të mos krijonin dyshime për aktivitetin e jashtëligjshëm.
“Në kuadër të operacionit ‘Muzgu’, Drejtoria e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Durrës dhe Prokurorinë, mbi vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave të menjëhershme, është bërë i mundur identifikimi, gjetja, kapja dhe arrestimi në flagrancë i 7 shtetasve dhe procedohen në gjendje të lirë për 10 shtetas të tjerë”, tha të dielën gjatë konferencës drejtori Ardi Veliu.
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...