Pas lajmit të publikuar në fillim të kësaj jave nga për një rritje të re të çmimeve të nënprodukteve të qumështit, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nisë monitorimin e këtij tregu.
Monitorimi bëhet për të evidentuar nëse ekzistojnë shenja të marrëveshjeve të ndaluara, sjelljeve të bashkërenduara apo shkeljeve të tjera të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
“Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione të bëra publike në media mbi njoftimin e ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit, të cilat kanë lajmëruar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur nga data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37 për qind më të larta, vendosi ngritjen e Grupit të Punës për monitorimin e këtij tregu”, thuhet në njoftim.
“Duke ndarë të njëjtin shqetësim për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë, Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”,” thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Ky institucion sjell në vëmendje se ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi.
Shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.
Sipas burimeve të “Monitor”, kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit kanë informuar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur që nga 15 shkurti, furnizimet e reja me gjalpë dhe djathë do të kenë çmime deri në 37 për qind më të larta. Ndërkohë, burimet nga kompanitë e përpunimit të qumështit pohuan se kjo rritje është aplikuar për shkak të shtrenjtimit të çmimit të qumështit nga fermerët gati me 50 për qind.
Qumështi dhe produktet e bulmetit ka qenë ndër produktet që janë shtrenjtuar më shumë gjatë vitit të kaluar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se inflacioni vjetor i nëngrupit “qumësht, djath, vezë” në dhjetor 2022 arriti nivelin rekord prej 25.4 për qind.
Rritja e paralajmëruar për në mesin e muajit shkurt nuk është rasti i parë që përpunuesit e qumështit aplikojnë rritje të paralajmëruara të çmimeve. Për shembull, edhe në fund të muajit korrik 2022 ata njoftuan tregtarët me pakicë se çmimet e shitjes së qumështit duke filluar nga data 1 gusht do të rriteshin.
Sipas përpunuesve, rritja e çmimit ka ardhur nga ulja ofertës dhe rritja e ndjeshme e çmimit të qumështit, por edhe rritja e kostove të tjera, që nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, ndryshimi i shkallës së TVSH-së, etj.
Megjithëse këto rritje të paralajmëruara janë raportuar në vazhdimësi nga “Monitor” dhe janë riprodhuar nga mediat e tjera, këtë vit Autoriteti i Konkurrencës duket më i vëmendshëm në ndjekjen e informacionit mediatik dhe ka vendosur monitorimin e tregut të qumështit dhe nënprodukteve të tij. /Telegrafi/
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...