Pandemia e COVID-19 në Shqipëri, Silva Bino: Jemi të shqetësuar

23:29 | 29 Qershor 2020
Trina Galanxhi

Shtimi i rasteve me COVID-19 në Shqipëri ka shkaktuar shqetësime të reja tek qytetarët.  Drejtorja e Departamenti të Sëmundjeve të Brendshme në ISHP, Silva Bino tha sonte në Euronews Albania se rastet e reja janë shqetësuese, ndërkohë shtoi se qëllimi kryesor është mbajtja e situatës nën kontroll.

Bino u shpreh se frenimi i përhapjes së mëtejshme të infeksionit mund të bëhet vetëm nga gjurmimi dhe izolimi i kontakteve, ndryshe shtoi se çdo tentativë dhe përpjekje do jetë e kotë.

“Jemi të shqetësuar me shifrat e larta dhe po përpiqemi, ta mbajmë nën kontroll dhe të ulim këtë situatë. Këtu është qëllimi ynë. Sëmundja ka një periudhë inkubacioni dy javë. Duke parë këtë, parashikohet edhe ulja. Në lidhje me gjurmimin, ai ka qenë strategjia kryesore dhe gjurmimi i kontakteve. Ky është elementi kyç. Vetëm gjurmimi pa pasimin me izolim nuk ka vlerë. Ekipet edhe mund të jenë të lodhur, por kemi një strategji, e cila është zëvendësimi i ekipeve. Ka dhe një plan B dhe C, ku numri i tyre duhet të rritet apo duhet të zëvendësohet me të tjerë. Mbetet një sfidë izolimi”, tha ajo.

Sa i takon testimeve masive, znj. Bino tha se Shqipëria nuk mund të kryejë teste të përgjithshme ndërsa duke u ndalur te ky argument dhe duke e lidhur me vatrat e infeksioneve në QSUT, Bino u shpreh se në këtë institucion ka pasur dy vatra aktive.

“Ne do të testojmë aq sa na kërkojnë qytetarët dhe ne nuk mund të bëjmë testim të përgjithshëm. Ne kemi testuar edhe persona pa shenja klinike. Ne i kemi testuar ata që paraqesin shenja klinike. Ne kemi dyfishuar testet. Kohët e fundit ka shumë pak infektime në QSUT, aty ka pasur dy vatra në QSUT, të cilat kanë bërë që të rritet numri i infeksioneve në lidhje me QSUT, kjo ka pasur lidhje me thyerjen e masave të kontrollit të infeksionit”, shtoi ajo.

Bino pohon se deri tani plazhet e vendit nuk kanë qenë shqetësues për përhapje të COVID-19, por gjithsesi apelon që qytetarët të tregojnë kujdes.

“Duhet që njerëzit të jenë të kujdesshëm. Grumbullimet shtojnë mundësinë e infektimit. Për momentin plazhi nuk është shqetësues”, tha Bino./noa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme