Pandeli Majko: Ajo që po bën Rusia është e turpshme

10:35 | 1 Mars 2022
A. B.

“Një turp i madh, federata Ruse po kryen krime kundër njerëzimit, e turpshme që këto gjenerale që po bëjnë luftën tani janë pasardhësit e Zhukovit dhe Kutuzovit, që sollën paqen në Europë”.

Ish-kryeministri Pandeli Majko, ka një mendim tragjik për synimet reale të Moskës. “ Gjasat janë që qëllimi i Putinit është të shkatërrojë Ukrainën edhe po nuk e pushtoi. Karkovi është qytet i bukur i ndërtuar në shekullin e 16-të, tani po goditet me raketa, dhe së shpejti kjo gjë do të ndodhë edhe në Kiev Nuk mendoj se kjo do të çojë në një luftë të tretë, por mund të jetë një Luftë e Ftohtë e Dytë”.

Sipas Majkos, i ftuar në “Dita Jonë”, Rusia ka organizuar prej kohësh një sulm të tillë, duke pritur momentin e duhur. “Një Amerikë të përçarë, një kancelar gjerman të ri, një president francez në ikje”.

Por përgjigja diplomatike por edhe konkrete e Perëndimi nuk ka munguar. “Është bërë përtej të zakonshmes. Ajo që është e rëndësishme është se kemi një zgjim të Bashkimit Europian, që të gjithë mendonim se ishte shndërruar në një zyrë punësimi, dhe drejtuesit e Brukselit treguan se këto nuk janë thjesht nëpunës. Sot nuk kemi burokratë, por europianë që po reagojnë në mënyrë të jashtëzakonshme. Nuk ka ndryshuar vetëm Brukseli. Shikoni Hungarinë, para kësaj lufte, takonte Putin për marrëveshje, tani ishte në kufi me refugjatët. Po ndodh diçka e jashtëzakonshme, përballë një rreziku kaq të jashtëzakonshëm, fibra europiane po vjen si diçka e natyrshme”, thotë ai.

Ndër vendet që po veprojnë në mënyrë të pamenduar më parë, është Gjermania, që ka deklaruar se do të rrisë buxhetin me 100 miliardë euro, duke bërë një kthim nga një politikë që zgjaste nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Gjermania është zgjuar ushtarakisht, por e ka bërë në emër të Europës. Po mos të ndodhte tani, nuk e di se kur do të ndodhte. Mënyra sesi po reagon Perëndimi më bën të them se Rusia po humb çdo dit e më shumë. Por Rusia nuk ka vetëm ushtarë, por edhe njerëz që protestojnë. Diçka të jashtëzakonshme mund të ndodhë, brenda traditës ruse”, thotë Majko.

Brukseli ka shtangur pozitivisht qytetarët e vet, dhe ato që presin të jenë pjesë e saj, dhe konflikti mund të ndryshojë edhe qasjen e Bashkimit Europian ndaj zgjerimit. “Mund të ketë pasoja pozitive edhe për Shqipërinë, sepse kemi lëvizur gjithmonë në drejtim të Perëndimit, dhe jo si të tjerë që lëvizin me dy karrige, mendoj se e kuptoni për çfarë vendi e kam”, thotë ish-kryeministri, duke nënkuptuar politikën e Beogradit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme