Po ashtu, Shahini hodhi poshtë edhe pretendimet se Universitetet private marrin financime nga buxheti i shtetit. Kjo, tha ajo, “nuk ka ndodhur dhe deri tani nuk është dhënë asnjë lekë nga buxheti për të financuar universitetet private”.
“Pakti për Universitetit adreson dhe tejkalon kërkesat e studentëve”, tha sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në takimin sektorial për “Arsimin e Lartë që Duam”.
Në takim u diskutua mbi Paktin për Universitetin dhe procesin e pakthyeshëm të plotësimit të 8+ kërkesave të studentëve.
Shahini tha se ka ende shumë studentë dhe pedagogë të pasqaruar mbi Paktin për Universitetin, ndërsa theksoi se “ky pakt u kthen përgjigje kërkesave të studentëve dhe shkon përtej tyre”.
“Ne evidentuam pikat kyçe ku duhet të ndërhynim që të kemi hapa para dhe përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë”, – tha ajo.
Ministrja theksoi se pika kryesore e Paktit, e artikuluar më shpesh nga studentët ka të bëjë me tarifat dhe bursat.
“Ne kemi reduktuar me 50% tarifat, ndërsa kemi përjashtuar plotësisht nga tarifat studentët në nevojë dhe ekselentët. Po ashtu bëmë përfitimin e bursave për ekselentët dhe bursat dhe përgjysmimin e tarifave për studentët në nevojë dhe ekselentët në Master”, – tha Rama.
Në këtë drejtim, Shahini u shpreh se ata që kanë çuar dokumentacionin deri në fund të janarit do të marrin bursat dhe do të përfitojnë nga reduktimi i tarifave. Po ashtu, studentët e tjerë do të kenë mundësi deri në mes të shkurtit për të dorëzuar dokumentacionin dhe për të përfituar nga pakoja financiare.
Lidhur me transparencën e vendimmarrjes, Shahini u shpreh se do të ngrihet një portal ku studentët do të informohen në kohë reale.
Lidhur me kërkimin shkencor, Shahini shtoi se “do të krijohet arkiv dixhital me disertacionet mbi të cilat është fituar doktoratura dhe përmes kësaj do të dimë edhe bazën e kërkimit shkencor në Shqipëri.
Sa i takon kontrollit etik të kërkimit shkencor dhe kontrollit për plagjiaturën, të cilën universitetet nuk e kanë bërë deri tani, Shahini tha se “ne ofruam që të shikojmë nëse ka programe antiplagjiaturë dhe të bëhet kontrolli i parë mbi ngjashmëritë e teksteve”.
Ajo tha se “në muajt në vijim, do të zhvillohet edhe një sondazh studentor për cilësinë e arsimit të lartë”.
Po ashtu, Shahini theksoi se “të gjithë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit në bordet e menaxhimit të universiteteve do të shkarkohen dhe do të krijohet një proces i ri zgjedhjesh”.
“Vendimet merren në senat dhe bordi i kontrollon. Në bord ka shumicë institucioni që sjell financimet kryesore. Në të gjitha universitet e tjera shumicën e ka Ministria e Arsimit, përveç Universitetit të Tiranës”, – tha Shahini, duke shtuar se një nga anëtarët e Ministrisë në këto borde do të propozohet nga studentët.
Lidhur me kërkesën e studentëve për rritjen e përfaqësimit në senat nga 10% në 50%, Shahini tha se kjo praktikë nuk ekziston në asnjë vend europian, por adresohet me një përfaqësim më të mirë të studentëve përmes këshillave studentore.
Sa i takon përmirësimit të bibliotekës në universitete, Shahini tha se “kemi vendosur krijimin e bibliotekës dixhitale dhe jemi në përfundim të blerjes së aksesit në një bibliotekë dixhitale, ku ka 170 mijë libra që përdoren si dhe 30 module për mësimin e gjuhës së huaj”.
Po ashtu, ministrja theksoi se është krijuar një grup pune i cili ka 6 muaj kohë për përzgjedhjen e literaturës së huaj që mund të përdoret në universitete, dhe më pas do të identifikohet dhe lista me përkthyesit për të çuar para këtë proces.
Lidhur me konviktet, Shahini shtoi se “për mbi 3 dekada nuk kishte investime, ndërkohë që tani është marrë një vendim ku Bashkisë së Tiranës i kalojnë 300 milionë lekë të reja. Po ashtu, ajo tha se “kemi një fond prej 16.6 milionë euro nga qeveria gjermane, ndërsa do të financojmë edhe kampusin universitar të Tiranës, i cili ishte i planifikuar për 26 mijë studentë”.
Karta e studentit, sipas ministres, “është një tjetër obligim ligjor që i takon universiteteve”. “Ne kemi arritur të nënshkruajmë një marrëveshje me European Student Card, në mënyrë që kjo kartë të vlejë dhe në vende të ndryshme në Europë. Do të përfundojmë procedurat që fillimi i vitit të ri t’i gjejë studentët me kartën studentore”, siguroi Shahini.
Ndërkohë sipas ministres, lidhur me punësimin e studentëve janë vendosur në dispozicion të studentëve ekselentë, të gjitha vendet e lira në administratë ku ata mund të punësohen për një periudhë 1-vjeçare.
Po ashtu, ministrja theksoi se kemi shtuar numrin e studentëve që do të zhvillojnë praktikën e punës në administratën shtetërore, dhe po negociohet edhe me kompanitë private për këtë çështje.
Ministrja zgjodhi t’i japë po ashtu përgjigje 3 miteve të pavërteta lidhur me Ligjin e Arsimit të Lartë.
“Ligji për Arsimin e Lartë ka ngritur 3 mite të pavërteta. Së pari pretendohet se për shkak të Ligjit janë rritur tarifat. Kjo nuk qëndron pasi hera e fundit që është rritur tavani ka qenë viti 2014, ose 1 vit e gjysmë para miratimit të ligjit”, – tha Shahini.
Po ashtu, Shahini hodhi poshtë edhe pretendimin se “kostoja për studentë është shumëfish më e lartë”, pasi qeveria sipas saj, “deri tani ka financuar mesatarisht rreth 70% të kostos për student, ndërsa tani paguan deri në 2.2 miliardë lekë të reja për të mbuluar shpenzimet e studentëve, dhe për të ofruar bursa”.
Po ashtu, Shahini hodhi poshtë edhe pretendimet se Universitetet private marrin financime nga buxheti i shtetit. Kjo, tha ajo, “nuk ka ndodhur dhe deri tani nuk është dhënë asnjë lekë nga buxheti për të financuar universitetet private”.
Po ashtu, Shahini iu përgjigj edhe atyre që bëjnë fajtor Ligjin e Arsimit të Lartë për bllokimin në universitetin e Tiranës dhe konfliktin administrator–rektor, pasi sipas saj, “ajo është mosmarrëveshje mes disa individëve dhe ky mit që nxirret në pah për të sulmuar ligjin, në fakt nuk qëndron”. /ATSH
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...