Google ADS

Pagat në Shqipëri, Rama: Epoka e shfrytëzimit të punonjësve duhet të mbyllet

13:01 | 17 Mars 2023
A. B.

Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë pagën minimale në 40 mijë lekë [345 euro] duke filluar nga prilli.

Duke u nisur nga ky vendim, kryeministri Edi Rama në një takim me sipërmarrjen të premten tha se shfrytëzimi i punonjësve duhet të marrë fund.

“Çështja është si do të mbyllet: duke vdekur sipërmarrja apo duke u bërë sipërmarrja e vetëdijshme që duhet të krijojë një marrëdhënie të re me burimet e saj njerëzore. Rritja e pagës minimale nuk është me dëshirë, por nga kapaciteti që ka ekonomia për ta mbajtur. Mali i Zi bëri një rritje të pagës minimale përtej logjikës dhe sot është në një situatë makro-ekonomike dramatike dhe sot e ka borxhin mbi 100 për qind. Paga minimale ka logjikë të vetën, por ne nuk mund të vijonim me programin që nuk parashikonte pandeminë dhe luftën në Ukrainë,” tha Rama.

“Në këto kushte, nuk mund të mos reagonim dhe e çuam pagën minimale mbi programin tonë. Programi ishte një pagë minimale 38,000 lekë deri në vitin 2025, por u rrit më shumë pasi është koha që të jepnim një shtysë”, shtoi Rama.

“Sipërmarrja nuk mund të largohet nga Shqipëria, edhe pse punonjësit mund të largohen nëse janë të pakënaqur me pagat. Dilema është të rrojë apo të vdesë. Por është një dilemë e thjeshtë, të rrojë duke mbështetur punonjësit që edhe ata të rrojnë. Epoka e shfrytëzimit të punonjësve duhet të mbyllet. E zhvillojmë këtë dialog kundër shfrytëzimit të punonjësve”, tha Rama.

“Tani sipërmarrja po e shikon se lufta për ruajtjen e burimeve njerëzore i ka hyrë në territorin e vet. Po e shikon se si po i ikin nga duart ato forca pa të cilat sipërmarrja vdes, njerëzit. Të gjithë po e shohin se si shtetet më të zhvilluara janë futur me kokë për të zhvatur nga të munden burimet njerëzore të kujt të munden”, tha Rama.

“Por, nëse një punonjës ose një i ri ka mundësinë dhe perspektivën që të duke u larguar ta gjejë punën diku tjetër, sipërmarrja nuk ka ku shkon”, shtoi Rama Rama.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme