Google ADS

Pacienti vdiq, tre mjekë në Fier hetohen për trajtim jo të duhur

19:35 | 27 Dhjetor 2024
R J

Tre mjekë në Fier po përballen për neglizhencë ndaj një pacienti tashmë të ndjerë.

Sipas hetimeve që ka nisur Prokuroria e Fierit, më 3 shkurt 2022, salla operative është njoftuar se në spitalin e Patosit është dërguar pa shenja jete një person me inicialet A.Sh.

I ndjeri kishte shkuar në spitalin e lartcekur në orët e para të mëngjesit, dhe më pas është dërguar me ambulancë në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, e pastaj është kthyer në Patos ku është ulur në një lokal dhe ka ndërruar jetë, sipas hetimeve.

Është marrë informacion për mjekët e turnit që ndodheshin në zyrën e mjekëve dhe nëse shtetasi A.Sh është paraqitur në orët e para të mëngjesit i shoqëruar nga ambulanca e Patosit me dhimbje gjoksi.

Për këtë fakt, mjekët kanë mohuar dijeninë në lidhje me rastin dhe faktin që i ndjeri të jetë paraqitur në turnin e tyre, raporton Top Channel.

Në funksion të këtij hetimi, krahas veprime hetimore që lidhen me natyrën e kësaj ngjarje, është administruar edhe akti i ekspertimit mjekoligjor, ku është arritur në përfundimin se nga ana e personelit mjekësor që ka trajtuar rastin gjenden elementë të neglizhencës mjekësore që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në ardhjen e pasojës.

Sipas njoftimit zyrtar, ekziston dyshimi i arsyeshëm që mjekët kanë neglizhuar në trajtimin e duhur të rastit, duke sjellë si pasojë vdekjen e të ndjerit.

Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Gjykata me vendimin nr. 62-2024-6773 datë 21.12.2024 vendosi caktimin e masës së sigurimit:

  1. Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimit publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit B.Dh, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
  2. Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimit publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale ndaj shtetases I.Ç, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
  3. Caktimi i masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit K.J, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.

Të ngjashme