Google ADS

PAA: Boll më një mazhorancë që mbretëron, por nuk qeveris

20:21 | 15 Shkurt 2019
Arbresh.info

Kreu i Partisë Agrare Ambintaliste, Agron Duka shprehet se bashkë me strukturat dhe simpatizantët e PAA-së, do të jetë pjesë e protestës nesër për t’i thënë boll më krimit elektoral, politik dhe ekonomik.

Përmes një postimi në Facebook, Duka thotë se Shqipëria ndodhet edhe një herë përballë një ngërçi politik, ekonomik dhe social me një mazhorancë që mbretëron, por nuk qeveris.

“Një krim elektoral tashmë i faktuar, por ende i pandëshkuar, që i ka dhënë kësaj qeverie “një pushtet absolut, me të cilin po korrupton në mënyrë absolute” çdo qelizë të jetës publike”- thotë ndër të tjera Duka.

Reagimi i plotë i Agron Dukës:

Sot, pak momente pas përfundimit të tubimit që Partia Agrare Ambientaliste zhvilloi në mbështetje të fermerëve, agropërpunesve dhe tregtarëve, në të cilën në shenjë pakënaqësie u hodhën në trotuar një sasi mandarinash, disa qytetarë nuk vonuan për t’i mbledhur ato. Sigurisht jo për t’i flakur në kosh, por për t’i çuar në shtëpitë e tyre.
Një ilustrim i trishtë dhe domethënës i situatës në të cilën ndodhet vendi ynë; ku fermerët nuk gjejnë dot treg dhe një pjesë e madhe qytetarëve nuk ka ekonomi për të blerë produktet e tyre. Një vend ku subvencionet për bujqësinë kapin vlerën e papërfillshme prej 20 milion euro, po aq sa qeveria paguan për një kilometër rrugë.

Kjo Shqipëri, e atyre që nuk shesin dot dhe atyre që nuk blejnë dot, ndodhet edhe një herë përballë një ngërçi politik, ekonomik dhe social. Një ngërç i krijuar nga një mazhorancë arrogante, e cila nuk ka dalë nga vota e lirë, por nga vota e blerë. Një krim elektoral tashmë i faktuar, por ende i pandëshkuar, që i ka dhënë kësaj qeverie “një pushtet absolut, me të cilin po korrupton në mënyrë absolute” çdo qelizë të jetës publike.

Përballë kësaj situate, në të cilën opsionet politike duken të kufizuara, protesta e nesërme mbetet rruga e vetme për të gjithë ata shqiptarë që janë të ndërgjegjshëm se nuk mund të presim që gjërat në vendin tonë të shkojnë përherë e më keq. Një detyrë qytetare për të kërkuar njëzëri jo vetëm një qeveri më të mirë, por edhe një jetë politike dinjitoze, të ngritur mbi themelin e shenjtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Për këto arsye, ditën e nesërme, bashkë me strukturat dhe simpatizantët e PAA-së, do të jem pjesë e protestës për t’i thënë boll më krimit elektoral, politik dhe ekonomik. Boll më një mazhorance që mbretëron, por nuk qeveris; komandon por nuk bind; mashtron por nuk njeh turp.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme