Google ADS

Opozita mban sot para Kryeministrisë protestën kombëtare

07:31 | 11 Korrik 2024
E.G

Opozita zhvillon sot në orën 20.00 protestën kombëtare para selisë së Kryeministrisë.

Në foltoren e improvizuar para Kryeministrisë do të flasin disa përfaqësues të shoqërisë civile si edhe Presidenti i Partisë se Lirisë, Ilir Meta.

Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, e cila do të mbyllë protestën, do të përcillet direkt nga banesa e tij. Opozita e ka thirrur këtë protestë kombëtare për të kërkuar lirimin e Berishës, duke e cilësuar masën e arrestit ndaj tij, politike.

Gjithashtu opozita do të kërkojë edhe krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë sipas saj, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Demokratët u kanë bërë thirrje mbështetësve t’iu bashkohen protestës, kundër asaj që e kanë cilësuar si “regjimi kriminal dhe antieuropian të Edi Ramës”.

Organizatorë të protestës kanë thënë se ajo do të jetë paqësore, megjithatë nuk përjashtohen edhe aktet e mosbindjes civile.

/RTSH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme