Operacion në Itali dhe Spanjë, 7 shqiptarë të arrestuar si pjesë e një grupi kriminal

01:13 | 11 Mars 2021
Trina Galanxhi

Mega-operacion në Itali dhe Spanjë! 17 persona, mes tyre edhe shtetas shqiptarë kanë përfunduar në prangat e Policisë pasi janë arrestuar si pjesë e një grupi kriminal që merreshin me trafik kokaine dhe kanabisi nga Italia në Spanjë. Mediat italiane kanë zbardhur të plotë gjithë mënyrën sesi funksionte grupi, i cili vlerësohet qarkullonte të paktën deri në 20 milionë euro.

“Në Milano, edhe ke të bardhë, i ke të gjitha. Nuk shitet lehtë. Paratë bëhen, por Milano është plot me gjëra,”-kështu komentonte punën e tij Dario Ferro, një nga të arrestuarit e megaoperacionit, i cili “qahej” se tregëtia nuk ecte më aq mirë sa dikur.

Marijuana kultivohej në Spanjë, ndërsa kilogrami i kokainës vlerësohej me 2 mijë euro, fitimet arrinin 16 mijë euro çdo javë ndërsa objektivi ishte mbledhja e gati 500 mijë eurove për porosi. Grupi me shqiptarë koordinohej me celular me një tjetër bashkëkombës që ndodhej në burg, ndërsa një grup i tretë merrej me pastrimin e parave të fituara ilegalisht.

Nga 17 fletarreste, 7 janë shqiptarë por mes tyre është identifikuar vetëm Lulzim Curumi. Shtetasi Curumi shprehet në përgjime se qyteti italian kishte marrë fund pasi drogën e gjeje kudo.

“Milano ka mbaruar shoku,”-shkruante ai.

Pjesëtarët e grupit kishin rënë në radarin e prokurorëve milanezë që nga viti 2019, kohë kur ishin sekuestruar rreth 6 ton kanabis, ndërsa korrikun e kaluar një sasi e ngjashme u kap edhe në Spanjë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme