Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), struktura e ngritur për mbikqyrjen e procesit të rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri u shpreh sërish të premten në mbështetje të propozimit për shtyrjen e mandatit të dy institucioneve të këtij procesi, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve publik.
“ONM vlerëson se zgjatja e mandatit të KPK-së ka rëndësi shumë të madhe për të patur një përfundim me sukses të procesit të vettingut si pjesë e reformës së sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ky afat i ri do të lejojë përfundimin e gjithë çështjeve të parashtruara, duke patur parasysh edhe kapacitetet dhe strukturat funksionale, të cilat deri tani kanë arritur rezultate shumë të mira”, deklaroi Kryetari i bordit të ONM-së, Maciej Popowski , gjatë një seance dëgjimore të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit të Ligjeve për Çështjet Ligjore, ku javët e fundit kanë nisur procedurat për ndryshimet kushtetuese që do të lejonin që mandati të zgjatet deri në dhjetor të vitit 2024, kohë brenda së cilës, parashikohet që procesi të përfundojë.
Propozimi për këto ndryshime është bërë nga shumica e majtë, duke qenë se në qershor të vitit të ardhshëm, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve publik u përfundon mandati 5 vjeçar. “Numri i muajve shtesë është i mjaftueshëm për të përmbyllur gjithë procesin. Ky afat kohor plotëson nevojat dhe Komisioni Europian dhe ONM-ja janë të gatshëm të vazhdojnë mbështetjen”, tha kreu i bordit të ONM-së, Popowski, i cili drejton gjithashtu dhe Drejtorinë e përgjithshme të komisionit europian mbi zgjerimin dhe negociatiat e fqinjësisë. Sipas tij “puna e deritanishme nuk duhet të ndërpritet, për të rinisur nga fillimi, ndërkohë që vazhdon monitorimi nga ONM sipas kritereve të përcaktuara”
Ai u shpreh se reformimi i gjyqësorit është përpjekje shumë e madhe dhe e rëndësishme, një nga reformat më të mëdha që ka ndërmarrë Shqipëria për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Shpresojmë që shumë shpejt do të ndodhë ky hap. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është bërë thjesht për të qenë në BE, por është ndërmarrë për shqiptarët dhe mbarëvajtjen e jetës së tyre” ,tha ai.
Deri më 30 shtator, nga mbi 800 gjyqtarë e prokurorë që i nënshtrohen rivlerësimit, KPK kishte marrë vendime për 448 prej tyre. Sipas disa përllogaritjeve, deri në qershor të vitit të ardhshëm, kur përfundon mandati aktual, do të mbeteshin pa ju nënshtruar vettingut në KPK gati një e treta e magjistratëve.
Kushtetuta shqiptare parashikon që në përfundim të mandatit të KPK-së, rivlerësimi të mund të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjykatësit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për prokurorët. Por një analizë e kryer nga Instituti për Studime Publike dhe Ligjore (ISPL) vlerëson se “vettingu duhet të përfundojë njëherësh me përfundimin e KPK-së, që është, arsyeja pse ligjvënësi vendosi të krijonte një organ me një pushtet të tillë, të vetëm dhe të specializuar. Kjo arsye vijon të jetë aktuale, pavarësisht nga ekzistenca e Këshillave”. Analiza e ISPL-së, shpjegon më tej se “rivlerësimi kalimtar është një proces që u vendos të realizohej në një moment të caktuar, për një grup të caktuar. Ky proces, me kushtet dhe standardet që vendosi, do të duhet ta përmbyllë misionin për të cilin është krijuar. Qëllimi i ligjvënësit, kur ka përcaktuar mandatin 5 vjecar të funksionimit të tij, nuk ka qenë që pas 5 viteve ky organ të zëvendësohej, por ka qenë që këto 5 vite të ishin të mjaftueshme që ky organ ta përmbushte këtë detyrë. Vetëm për të rregulluar raste përjashtimore, nëse do të ngeleshin pa u shqyrtuar, ligjvënësi parashikoi garancinë që procesi do të vijohej nga Këshillat”.
Zgjatja e mandatit të institucioneve të Vettingut është mbështetur publikisht si nga ambasadorja amerikane Yuri Kim ashtu dhe nga ai i Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë.
Ndryshimet në kushtetutë kërkojnë një shumicë prej dy të tretash të parlamentit e për pasojë një votë konsensuale mes palëve. Në kushtet kur opozita është shfaqur skeptike, shumica ka zgjedhur t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Një lëvizje që më tepër se një përpjekje për të marrë një interpretim ligjor, për një çështje që është më së shumti politike, duket se synon t’i japë asaj një instrument për të ngushtuar hapësirat e një kundërshtimit të mundshëm të opozitës./ VOA
Gjesti ia mori dhe ia veshi duksin dhuratë të Xhenetës – ja ...
Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë KRU “Hidroregjioni Jugo...
Man City assesi të fitojë ndalet me barazim nga Evertoni
Ministri Peci nesër mban konferencën përmbyllëse për media
Tajvani përgatitet për mandatin e ri të Presidentit Trump në...
Hamza: Bursa e Kosovës mundësi për diasporën dhe investitorë...