Olta Xhaçka merr detyrën, Rama: Në lartësinë e duhur për të marrë stafetën

09:28 | 5 Janar 2021
Arbresh.info

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj i ka dorëzuar detyrën ministres Olta Xhaçka ditën e sotme.

Në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe ministres së re të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj e ka falënderuar për mbështetjen në këtë detyrë.

“Më lejoni të shpreh kënaqësinë që sot kam nderin e posaçëm tja dorëzoj formalisht detyrën në ministrinë e jashtme. Kryeministri më ka mbështetur gjatë gjithë kohës kur kam qenë në detyrë dhe ne kemi marrë masat e nevojshme të kemi një vazhdimësi. E ndjej detyrim moral të falënderoj kryeministrin për mbështetjen që më ka dhënë”, tha Cakaj.

Rama ka falënderuar Cakajn për punën e bërë kur Shqipëria ishte në krye të OSBE-së. Kryeministri përmendi se ai e ka kryer detyrën në kushtet e një ngërçi absurd, duke iu referuar kështu refuzimit të presidentit Ilir Meta për ta dekretuar, por sipas tij ia ka dalë me sukses.

“Faleminderit Gentit për përkushtimin në krye të kësaj detyre. Duke qenë i detyruar të kryesh detyrën në mënyrë të penguar si rezultat i një ngërçi absurd të krijuar institucionalisht. Ska nevojë të zgjatem sepse dihet historia tanimë. Përtej kësaj në këtë periudhë detyrat jo të lehta dhe kohët jo të lehta që ka kaluar ky institucion, janë përballur me profesionalizëm dhe sukses. Për mua ka qenë një barrë e shtuar dhe në kushte të tjera do të ishte krejt e panevojshme sepse Genti i ka pasur dhe i ka të gjitha kapacitetet për ta mbajtur këtë barrë plotësisht por nga detyrimi i pashmangshëm për ta përfaqësuar Shqipërinë edhe formalisht në nivelin më të lartë të këtij institucioni në kryesimin e OSBE dhe për të mos lejuar për shkak të formalitetit mungesa e ministrit të jashtëm të kthehej në mundësi për të krijuar keqkuptime brenda familjes së OSBE e mora këtë angazhim”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama tha se Olta Xhaçka është në lartësinë e duhur për të marrë stafetën në këtë detyrë të rëndësishme.

“Marrëdhëniet strategjike të shqiptarëve me aleatët dhe partnerët e vet janë punë e përditshme, është në lartësinë e duhur për ta marrë këtë stafetë. Ky institucion ka një bazë të kahershme si në çdo hapësirë tjetër të jetës së organizuar, ka nevojë për të çuar para marrëdhënien me të tjerët por edhe funksionimin për të qenë në lartësinë e duhur. Do të vazhdojmë rrugën se bashku. Për herë të parë drejtuesja do të jetë e këshilluar nga një dyshe si unë dhe Genti”, tha Rama./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme