Pak orë pas lirimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Elda Tanushi ka udhëtuar nga Tirana drejt vendlindjes së saj, fshatit Zallë Reç të Dibrës, shkruan “Panorama”.
Të vetmit që e kanë mbështetur 19-vjeçaren kanë qenë prindërit e saj. Ata kanë vendosur ta marrin sërish të bijën në fshatin e largët, për të mos e kthyer më në familjen e bashkëshortit të saj. Tashmë ngjarja ka bërë bujë në të gjithë zonën. Në familjen Tanushi ka pasur hyrje e dalje nga banorë të fshatit, por edhe miq e dashamirës, të cilët i kanë shprehur solidaritetin e tyre, duke thyer kështu edhe tabutë e zakoneve të kësaj zone të thellë.
I telefonuar nga “Panorama”, babai i 19- vjeçares, Baftjar Tanushi, është shprehur shkurt se priste që dhëndri të kthehej nga Greqia dhe të merrte me vete vajzën e jo ta linte me vjehrrin dhe vjehrrën në Durrës. Për ngjarjen e ndodhur nuk ka munguar as interesimi i administratorit të kësaj njësie, Erald Troci.
Ai e ka telefonuar të zotin e shtëpisë, Baftjar Tanushin, nga ku i ka marrë informacion në lidhje me gjendjen shëndetësore të vajzës, si dhe i ka ofruar ndihmesë në rast se do të ishte e nevojshme. “Kam pasur një telefonatë me babain e vajzës, ku mora informacion nëse kanë ndonjë nevojë. Më tha se vajza nuk është keq nga ana shëndetësore, por është ende e tronditur për atë që ndodhi. Familja mohon që vajza e tyre të ketë bërë keq. Arrestimi i ka shqetësuar të gjithë. Tani që Elda u lirua, më thanë se janë më të qetë.
Vajzën po e mbajnë afër”, u shpreh administratori Troci. Sipas tij, babai i vajzës ka deklaruar se nuk do ta rikthejë më në familjen Stafa, në Durrës, pasi ata janë shkaktarët e gjithë kësaj tollovie të krijuar. “Vajzën do ta mbaj në shtëpi. Çfarë të hamë ne le të hajë edhe ajo, megjithëse të ardhurat tona janë zero”, është shprehur Baftjar Tanushi për administratorin e zonës. Ndërkaq, banorë të fshatit shprehen se ka qenë varfëria dhe jetesa mjaft e vështirë e kësaj familjeje ajo çka i ka detyruar ata ta martonin vajzën e tyre, kur ende ishte 18 vjeçe. Madje edhe në fshat, martesa e saj rreth 6 muaj më parë në një familje që jetonte në Durrës u perceptua si një “fat” i madh për Eldën. Ajo do të shpërngulej njëherë e mirë nga zona e thellë mes maleve ku nuk i afrohej asnjë perspektivë tjetër, ku familja e saj me shtatë anëtarë jetonin vetëm me një ndihmë ekonomike prej 4 mijë lekësh. “Jetojnë në varfëri.
Veç prindërve, janë tri motra, një vëlla dhe gjyshja. Askush nuk ka një rrogë në familje, pasi zona është e largët dhe këtu nuk ka mundësi punësimi, veçse të merresh me blegtori”, u shpreh një banor i zonës.
“Kajta pak qetash”, Burimi, Vullnetit: Tash e pash kush më d...
Kelmendi diskuton me kryeprokurorët për trajtimin e rasteve ...
Rio de Janeiro, qyteti bregdetar i Brazilit me famë botërore
Arrestohet 56 vjeçari në Kaçanik, ishte i kërkuar për veprën...
Gjermanët paralajmërojnë tifozët: Kujdes në Beograd, droga d...
Koalicionit AAK-Nisma i bashkohet ‘Lista Ideali’