Nusja e akuzoi për përdhunim, rrëfehet vjehrri: Ja cila është e vërteta

11:04 | 5 Korrik 2017
Arbresh.info

Vjehrri i Elda Tanushit, e cila u arrestua se tentoi të helmonte nënën e bashkëshortit, hedh poshtë pretendimet që ajo ka dhënë në Polici duke pretenduar se e kishte ngacmuar seksualisht.

Eduart Stafa duke folur për “Panorama” mohon çdo pretendim të saj, duke i quajtur justifikime për të fshehur lidhjen jashtëmartesore që ajo kishte me një burrë të martuar.

Ndërsa shprehet se asnjëherë se ka parë si nusen e djalit, por sikur ta kishte vajzën e vet. “Unë kam tre djem. Nuk kam asnjë vajzë. Dhe Eldën e kam parë e trajtuar gjithmonë sikur ta kisha vajzën time. Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja që ta shoh me sy tjetër, jo më ta ngacmoj seksualisht siç pretendon ajo. Ne e donim si vajzën tonë, ajo deshi të më helmonte gruan”, shprehet vjehrri i 19-vjeçares.

Eduart Stafa këmbëngul që nusja kishte një lidhje jashtëmartesore me një burrë të martuar, i cili ishte me origjinë nga fshati i saj i lindjes, në Dibër. Madje, sipas tij edhe këtë veprim e ka bërë për arsye se ne e kishim zbuluar dhe kishte frikë mos i tregonim djalit.

Më tej, ai tregon se si ishte martuar djali i tij me 19- vjeçaren, një martesë me mblesëri dhe pa dëshirën e vajzës. Dy të rinjtë ishin martuar 6 muaj më parë, ndërsa pak kohë pas martesës djali i tij, Doland Stafa kishte shkuar në Greqi për të punuar, i bindur nga babai i nuses. Vjehrri i 19-vjeçares këmbëngul që ajo kishte një të dashur, madje për të komunikuar me të ka përdorur celularin e tij, pasi ajo vetë nuk kishte telefon.

“Telefonin tim e ka Policia në dorë. Aty janë të gjitha mesazhet që ajo ka shkëmbyer me të dashurin”, shprehet ai.

Sa kohë kishin të martuar djali juaj me Elda Tanushin?

Rreth 6 muaj kishin. Por këto 6 muaj që ishin martuar as tri muaj nuk kanë qëndruar bashkë. Djali iku në Greqi dhe ajo qëndroi këtu me ne.

Me dashuri ishin martuar?

Jo, as që e kishin njohur njëri-tjetrin më parë. Martesa u bë me mblesëri. Ajo nuk e ka dashur ndonjëherë djalin tim. Ishte halla e saj, që banon këtu në të njëjtin fshat me ne, që hyri mbles dhe këmbënguli që të martoheshin. Me sa di unë ajo nuk ka dashur që të martohej, por halla dhe i ati kanë këmbëngulur. Edhe pse e dinte që e bija nuk donte, prapë e martoi me djalin tim.

Pse jeni kaq i sigurt që nuk e donte?

Jam i sigurt sepse ajo kishte një lidhje tjetër, me një burrë të martuar. Madje jam i sigurt që atë lidhje e ka pasur edhe para se të martohej me djalin tim, prandaj nuk ka dashur. I kam gjetur mesazhet që shkëmbente me të në telefonin tim. Me celularin tim komunikonin. Tani celularin e ka në dorë Policia, le ta verifikojnë, aty i kanë. Kam dorë- zuar edhe shumë letra dashurie që ata kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin.

Po djali juaj e donte nusen?

Djali është i ri, 20 vjeç. Po me sa di unë e ka dashur.

Kur e donte, pse u largua 3 muaj pas martese?

Sepse e bindi krushku. Ai ia mbushi mendjen që të shkonte të punonte në Greqi. Pa letra, pa asgjë. Djali im as nga fshati nuk ishte larguar ndonjëherë, jo më të dilte jashtë shtetit.

Si ndodhi që u helmua gruaja juaj?

Tani, besoj që këtë e ka sqaruar edhe gruaja. Ka thënë edhe në Polici por edhe në media që nusja i ka hedhur helm në gotën me kos. Mua, në fakt, më tha djali i vogël, Ismaili. Ai më tha se gruaja nuk ndjehej mirë, ishte sëmurë dhe ne e çuam në spital me urgjencë. Atje na thanë që ishte helmuar nga diçka. Pastaj e kuptuam se nga çfarë i kishte ardhur helmimi. Në fakt, gruaja kishte dyshuar menjëherë sapo nusja i ka dhënë gotën me kos, sepse kishte ndjerë një aromë të keqe dhe e kishte pyetur se çfarë kishte hedhur brenda. Pastaj ju e keni mësuar edhe vetë që e ka helmuar nusja, sepse e ka shprehur vetë edhe në Polici.

Ju e denoncuat në Polici?

Po, unë e denoncova. Siç helmoi gruan ajo do na kishte helmuar të gjithëve. Tani të marrë atë që meriton, dënimin maksimal.

Në Polici ajo e ka pranuar ngjarjen, por ka thënë se ju e keqtrajtonit. Si është e vërteta?

Asnjëherë nuk e kemi keqtrajtuar ashtu siç pretendon ajo. I ka të gjitha justifikime. E kemi dashur si vajzën tonë. Ne kemi 3 djem dhe ajo ishte vajza jonë e vetme. S’e kemi parë kurrë si nusen e djalit.

Veç keqtrajtimit ajo ka hedhur akuza të forta ndaj jush personalisht, duke thënë se e keni ngacmuar seksualisht. Jeni në dijeni për këtë deklarim të sajën?

Kjo është shpikje e saj, siç ju thashë vetëm për t’u justifikuar. Nuk e kam parë kurrë me atë sy. As nuk më ka shkuar kurrë mendja tek ato që thotë ajo. E kam parë si vajzën time. Këto janë shpifje të saj, meqenëse kishte një lidhje jashtëmartesore.

A keni komunikuar me krushqit pas ngjarjes?

Vetëm atë ditë që u arrestua nusja. I kam telefonuar vetë të atit të saj, i kam thënë se vajzën e kishte në Polici. Se e kishte arrestuar policia. Më pas ai ka ardhur këtu me sa kam dijeni unë, por nuk kam folur me të.

Ka ardhur në shtëpinë tuaj?

Jo në shtëpi, ka ardhur në Durrës që të interesohej për vajzën. As më ka marrë dhe as nuk e kam marrë më.

Po me djalin që keni në Greqi keni folur?

Po, kam folur. I kam treguar larg e larg se çfarë ka ndodhur, por jo t’ia them të gjithë historinë. Ai do të vijë vetë sa t’i rregullojë punët atje. Nuk kam dashur që ta shqetë- soj më shumë.

Nëse Gjykata e liron nusen e djalit, po vendimi juaj cili do të jetë?

Unë kërkojë që ajo të dënohet se do të na helmonte të gjithëve. Por nëse lirohet, ajo duhet të shkojë te prindërit e saj, nuk ka më punë në shtëpinë tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme