“Njohje nën mesataren e gjuhës letrare shqipe”: A janë këto fjalët e ish deputetit të PD që Besa Shahini i quan racizëm?

00:56 | 15 Shtator 2020
Trina Galanxhi

Sulmet e pretenduara për dialektin kosovar ndaj Besa Shahinit kanë ngacmuar një temë delikate për racizmin ndaj kosovarëve në Shqipëri, por kjo nuk ishte hera e parë që ish-Ministrja e Arsimit e shprehte si shqetësim. Në qershor, gjatë protestës së maturantëve për testin e letërsisë, Besa Shahini shprehu të njëjtat shqetësime dhe atëherë mori përgjigjë nga Luçiano Boçi, ish deputeti i PD që reagon rregullisht mbi problematikat e arsimit.

Boçi mes të tjerave nuk kishte ngurruar t’i vinte në dukje mënyrën e të folurit apo të shkruarit në një status në Facebook, kur e quante “ministrja me një njohje nën mesatare të gjuhës letrare” në 19 qershor.

Ministrja me një njohje nën mesatare të gjuhës letrare shqipe, ka sulmuar në mënyrë të padenjë me një status të denjë për “gocë rruge që kapet prej flokësh”, pedagogët në përgjithësi e ato të gjuhës dhe të letërsisë, të cilët kanë kritikuar me argumente shkencorë pavlefshmërinë e testit të letërsisë” shkruante Boçi në një status në rrjetet sociale në qershor. (lexo ketu statusin e plote te Luciano Boçit)

Në kulmin e protestave të maturantëve për testin e letërsisë, një prej thirrjeve të protestuesve ishte “Kthehu andej nga ke ardhur”. Ky mesazh, sipas Shahinit ishte i frymëzuar nga ish deputetë të Partisë Demokratike që e kishin sulmuar për të folurën e saj.
Në një status në Facebook, në 22 qershor ajo shkruante:

“Të thuhet “Kthehu prej nga ke ardhur!” ka qenë e papranueshme gjithmonë, por t’i thuhet një shqiptari me prejardhje nga Kosova në 2020-tën, është skandaloze! Ky sentiment anti-shqiptar, gati racist i disa opozitarëve, është në mospërputhje të plotë me realitetin e një shkëmbimi dhe bashkëveprimi serioz të bashkëkombasve tanë në të gjithë rajonin” (Lexo ketu statusin e plote te Shahinit)

Luçiano Boçi reagoi sërish në 23 qershor duke shpjeguar se nuk kishte asnjë nuancë racizmi në këto kritika dhe aq më tepër në shprehjen “Kthehu nga ke ardhur”, por kjo ishte një mënyrë diabolike nga ana e Besa Shahinit për ta interpretuar protestën.

“Besa e quan të papranueshme e skandaloze t’ia thuash “Kthehu andej nga ke ardhur” një kosovari!?? Por kjo nuk qëndron aspak. Askush nuk ka pasur një qëllim të tillë ndaj kosovarëve, përveç Shahinit. Gjuha shqipe është e qartë në këtë pikë. Shprehja ishte vetëm për Ministren që ka emrin Besa e që rastësisht është nga Kosova. Shahini kërkon të aktualizojë frazeologjinë dhe ta interpretojë me emocionalitet në kuptimin e fjalë për fjalshëm, gjë që është e pamundur. Spekullimi i ministres këtu buron ose nga diabolizmi, ose nga padituria” Lexo ketu statusin e plote te ish deputetit te PD

Gjatë emisionit Open, Besa Shahini tha  se sulmet e PD-së ndaj saj personalisht dhe jo ndaj punës së saj janë një element antishqiptar.

“Opozita gjatë këtyre dy viteve, nuk e kanë zgjedhur mënyrën për të kritikuar për ne që kemi ardhur nga Kosova. Shih si flet, nuk është mjaftueshëm inteligjente për këtë punë. Si mund t’i thuash këto. Përderisa nuk gjenin arsye për të kritikuar punën, vazhduan me këtë linjë kritike. Nuk mund të përdoret ky element, antishqiptar. Personat që kanë folur për këtë janë deputetë dhe ish-deputet të PD, ish këshilltarë edhe LSI deri në një farë mase, por PD nuk i ka fshehur fare këto. Ata se kanë kuptuar që veç meje kanë kritikuar dhe ofenduar gjithë veriun shqiptar”, tha ajo./lapsi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme