Google ADS

Një tjetër vrasje në Vlorë

00:05 | 22 Maj 2021
Trina Galanxhi

Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmjen e sotme në Vlorë. Në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Delon Troqe, 38 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.

Mësohet se viktima kishte rreth 2 javë që ishte kthyer nga Spanja. Po ashtu, mësohet se viktima ka qenë i dënuar dhe ka bërë disa vite burg në moshën e adoleshencës. Troqe kishte në pronësi një servis skafesh në Vlorë, madje kishte në pronësi edhe servisin, në vendin ku u vra.

Nga pamjet e siguruara nga Top Channel shihet një e afërme e viktimës e cila qan dhe bërtet mbi trupin e pajetë.

Ndërkohë që një makinë është gjetur e djegur në zonën e Sherishtës në Vlorë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, të cilët pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes kanë djegur makinën për të fshehur gjurmët e vrasjes.

Delion Troqe rezulton se është i afërmi i Elvis Troqes, i zhdukur pa gjurmë që prej 2018-ës.

Njoftimi i plotë i policisë:

Rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarsia”, Vlorë, në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve.

Gjatë krehjes së zonës, në fshatin “Sherishtë”, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.

Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme