Google ADS

“Një në 5 meshkuj shqiptarë i duan në shtëpi, jo në punë”

01:09 | 9 Mars 2017
Arbresh.info

Organizata Ndërkombëtare e punës në ditën ndërkombëtare të femrave, ka publikuar një raport me titull: Drejt një të ardhme më të mirë për femrat dhe punën. Raporti është përpiluar në formën e një ankete, në bashkëpunim me Gallup.

Të pyetur se çfarë do të zgjidhnin për të bërë, 25% e femrave shqiptare deklarojnë se do të donin një punë me pagesë, 12% deklarojnë se do të donin të qëndronin në shtëpi, 61% deklarojnë të dyja, dhe 2% refuzojnë t`i përgjigjen pyetjes.

Ato që duan të punojnë, pra që nuk duan të qëndrojnë në shtëpi, variojnë në bazë të moshës.

Për femrat e moshës nga 15 deri në 20%, përqindja e atyre që duan të punojnë fiksohet në 32%, ndërsa për femrat mbi 30 vjec, norma zbret në 23%. Norma zbret edhe më shumë për femrat shqiptare të cilat kanë një arsim fillor.

Të rejat që duan të qëndrojnë në shtëpi ndërkohë janë vetëm 2%, ndërkohë që për mbi 30 vjeçaret norma fiksohet në 16%.

Kur janë meshkujt ata që pyeten se si do ta dëshironin jetën e femrave në familjen e tyre, situata ndryshon sërish.

Ndërkohë që vetëm 12% e femrave deklarojnë se do të preferonin të qëndronin në shtëpi, pra të mos punonin, për meshkujt kjo normë ngjitet në 20%. Pra, një në pesë meshkuj shqiptar nuk do të donte që femrat në familjen e tyre të punonin, por të qëndronin në shtëpi.

Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, tregon se, vetëm një në katër femra shqiptare do të donte të bënte një punë dhe të paguhej nga kjo punë. Raporti është i njëjtë edhe te meshkujt, pra se ç`kërkojnë meshkujt për femrat.

Në Maqedoni, Mali të Zi, Serbi dhe Bosnje Hercegovinë, norma e femrave që kërkojnë të punojnë, dhe e sidomos ajo e meshkujve që duan që femrat në familjet e tyre të punojnë, ngjitet në mbi 30%, në disa raste edhe në 50%, ndërkohë që ato që kërkojnë të qëndrojnë në shtëpi janë në përqindje mjaft të vogël. Përjashtim të vetëm bën Kosova, ku vetëm 19% e femrave duan të punojnë.

Tendenca e femrave është thuajse e njëjtë në nivel global, por diferencën e bëjnë përgjigjet e meshkujve, pasi në këtë pikë në vende të ndryshme ka përqindje të ndryshme, çka nënvizon mentalitetin dhe atë se sa të diskriminuara janë femrat./SCAN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme