Google ADS

Një dekoratë për shefin e sigurisë në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë

14:12 | 4 Qershor 2018
Arbresh.info

Në përmbyllje të misionit si Shef i Zyrës Rajonale të Sigurimit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ministri i Brendshëm dekoroi oficerin amerikan Jan Hiemstra.
Ministri Xhafaj vlerësoi bashkëpunimin dhe asistencën e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një partner shumë i rëndësishëm për agjencitë ligj zbatuese shqiptare.

“Dëshiroj të vlerësoj bashkëpunimin shumë të mirë që ne kemi në fushën e sigurisë ndërmjet vendit tonë dhe SHBA-së, veçanërisht asistencën mjaft të vyer që SHBA japin ndaj agjencive të sigurisë në vend dhe veçanërisht Policisë së Shtetit, në shumë fusha. Ju sot po e përmbyllni këtë detyrë, duke lënë pas një kontribut të spikatur në mbështetje të Policisë së Shtetit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme”, nënvizoi ministri Xhafaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, falenderoi Hiemstra për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikut të paligjshëm.

“Kontributet e Zyrës Rajonale të Sigurimit pranë Ambasadës së SHBA në Shqipëri dhe konkretisht të drejtuesit të saj në forcimin bashkëpunimit dhe ndihmës së pakursyer për Policinë e Shtetit, vlerësohen si tepër të dobishme në realizimin e misionit tonë. Z. Hiemstra ka dhënë kontribut të çmuar në përmbushjen me sukses të disa operacioneve të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në forcimin e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit, nëpërmjet një sërë aktivitetesh trajnuese të specializuara, apo projekte për strukturat kundër narkotikëve, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit”, tha Veliu.

Medalja iu dha me motivacionin “Për kontributin e jashtëzakonshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe SHBA-së në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në interes të forcimit të sigurisë publike”.

Duke vlerësuar bashkëpunimin me palën shqiptare, zyrtari amerikan deklaroi se eksperienca në Shqipëri ka qenë shumë e mirë, si në aspektin profesional dhe atë personal.

“Është bashkëpunimi i shkëlqyer dhe i veçantë i Policisë së Shtetit dhe Zyrës së Sigurimit Rajonal që krijon një atmosferë të tillë të jashtëzakonshme dhe vazhdon të korrë sukses për të dy palët. Megjithëse kisha ndjenja të përziera për sa i përket ardhjes në Shqipëri, unë largohem me kujtimet më të bukura të jetës në Shqipëri si në aspketin personal dhe atë profesional”, theksoi oficeri Hiemstra.

Zv.ambsadori i SHBA në detyrë Ryjan Roberts tha se shembulli i oficerit Hiemstra ishte frymëzues për djalin e tij.

“Unë kam një djalë 13 vjeç. Disa vjet më parë ai më tha se donte të bëhej pilot ushtarak, kur të rritej. Kur ai takon Jan për herë të parë, u mahnit, që Jan kishte drejtuar helikopter në ushtrinë e SHBA-ve. Së fundmi, djali im ka vendosur që do të bëhet oficer policie. Ai gjithashtu është shumë i zhgënjyer që puna ime është e mërzitshme, kurse puna e Jan është shumë më e mirë, emocionuese dhe ndonjëherë shumë e rrezikshme. Ndoshta im bir do të ndryshojë prapë mendim dhe do të vendosë që nuk do të bëhet pilot apo oficer policie, i zbatimit të ligjit, nuk më intereson se çfarë karriere do të zgjedhë, por do të isha shumë i nderuar nëse ai do të bëhej si Jan kur të rritej”, shtoi ndër të tjera diplomati.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme