Me rastin e samitit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Sofje (Bullgari), Eurostat ka publikuar një përzgjedhje të të dhënave kryesore mbi tregtinë midis BE dhe Ballkanit Perëndimor.
Ballkani Perëndimor përbëhet nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. BE është një partner tregtar kryesor i këtyre shteteve.
Në vitin 2017, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë eksportoi mbi 80% të eksporteve totale të mallrave në BE (4 miliardë euro ose 81%). Ajo u pasua nga Shqipëria (1.6 miliardë euro ose 77%), Bosnja dhe Hercegovina (4 miliardë euro ose 71%), Serbia (9.7 miliardë euro ose 68%), Mali i Zi (0.1 miliardë euro ose 35%).
BE-ja gjithashtu është partneri kryesor i importeve të mallrave në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (4.3 miliardë euro ose 63% të totalit të importeve të mallrave), Shqipërisë (2.9 miliardë euro ose 62%), Bosnje dhe Hercegovinës (5.7 miliardë euro ose rreth 61%) dhe Serbi (10.3 miliardë euro ose 59%), ndërsa pothuajse gjysma e importeve në Malin e Zi (1.1 miliardë euro ose 47%) dhe Kosova (1.3 miliardë euro ose 43%) erdhi nga BE.
Në vitin 2017, bilanci i mallrave të BE-së me Ballkanin Perëndimor shënoi një tepricë prej 9 miliardë euro, duke u rritur me 10% krahasuar me vitin 2016. Njëzet e dy vende anëtare të BE regjistruan një suficit, të udhëhequr nga Hungaria, Greqia dhe Kroacia prej + 1.1 miliardë euro secila. Në të kundërt, deficiti më i madh u vërejt në Suedi (- 66.4 milionë euro). Importet e BE nga Ballkani Perëndimor janë dyfishuar që nga viti 2007 nga 9 miliardë në 20 miliardë në vitin 2017. Eksportet gjithashtu janë rritur nga 18 miliardë euro në 2007 në 29 miliardë euro në vitin 2017.
Ndër vendet anëtare të BE-së, eksportuesit më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor në vitin 2017 ishin Gjermania (16% e eksporteve të mallrave të BE në Ballkanin Perëndimor) dhe Italia (14%). Së bashku ata përbënin mbi një të tretën e të gjitha eksporteve në këtë rajon. Këto dy vende u pasuan nga Sllovenia (10%), Hungaria (9%) dhe Kroacia (8%). Gjermania (23% e importeve të BE-së nga Ballkani Perëndimor) dhe Italia (18%) ishin gjithashtu destinacionet më të mëdha të importeve nga Ballkani Perëndimor. Ata u pasuan nga Sllovenia (9%), Hungaria dhe Kroacia (7% secila)./Monitor