Google ADS

Nis protesta e 8-të kombëtare e opozitës

19:05 | 8 Qershor 2019
Arbresh.info

Opozita e bashkuar ka nisur protestën e 8-të kombëtare duke kërkuar largimin nga detyra të Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të organizuar zgjedhje të lira.

Partia Demokratike ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore. Më herët ka dalë në një deklaratë për mediat numri 2 i kësaj force politike, Gazment Bardhi i cili përjashtoi çdo skenar dhune. Gjithashtu kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur në rrjetet sociale se nuk do të ketë asnjë hap pas dhe e ka cilësuar si një fitore dhe ka ftuar të gjithë shqiptarët të bashkohen në protestës e ditës së sotme për t’i treguar kryeministrit Edi Rama se populli ia ka hequr vizën.

Ndryshe nga të gjitha protestat e tjera kur janë mësuar detaje këtë herë nuk ka ende të përcaktuar nëse kreu u opozitës Basha do të mbajë një fjalim përpara protestuesve në tubimin e orës 19:00.

Ndërsa opozita deklaron se protesta do të jetë paqësore Policia e Shtetit në një dalje për mediat paraditen e sotme deklaroi se disponon informacione shqetësuese se protesta mund të çojë në dhunë si dhe i bëri thirrje organizatorëve që të marrin përgjegjësitë dhe të mos lejojnë devijimin e tubimit. Reagimi i bluve do të jetë në proporcion të situatës së krijuar nga protestuesit. Për mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen 1700 forca policore.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë hapur drejtuesit e opozitës të heqin dorë nga çdo formë dhune në protestat e organizuara prej tyre. Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA, Matthew Palmer është i drejtpërdrejtë në mesazhin ndaj kryetarëve të PD e LSI: “Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE”.

Në mbylljen e protestës së 2 Qershorit, Lulzim Basha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama ku tha se argumentat për të kanë mbaruar dhe fjalën në protestën e sotme do e ketë sovrani./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme