Google ADS

Ngrirja e kontratave të HEC-eve e pabazuar në ligj

09:01 | 10 Shkurt 2019
Arbresh.info

Kontratat e hidrocentraleve jo operative janë në një fazë të re bllokimi të njoftuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Situata mbetet e paqartë për investitorët që kanë kontrata koncesionare me qeverinë, lidhur me atë që synohet të arrihet dhe kë prek.

Anita Shushku, kryetare e Bordit të AREA-s (Shoqata Shqiptare e Energjive të Rinovueshme) në një intervistë për “Monitor”, nënvizon se vendimi i fundit është i pabazuar në ligj dhe se mes qeverisë dhe investitorëve, ajo që ka vlerë është kontrata fillestare mes palëve ku secili merr përsipër angazhimet e tij.
Shushku thekson se kjo përsëritje pezullimesh tashmë jo vetëm me ndryshime qeverish, por edhe ministrash, ka frikësuar investitorët dhe po rezulton me efekte financiare negative në të gjithë zinxhirin, përfshirë nënkontraktorët, punonjësit, por edhe për ekonominë në tërësi.

Ka një deklaratë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të ndaluar apo për të pezulluar kontratat për HEC-et jo operative. A keni ju si shoqatë një informacion më të saktë se çfarë do të thotë kjo nismë e re dhe ku konsiston?
Nga dalja e ministres ne jemi përpjekur që të marrim më shumë informacion, por ajo që kemi sot është një situatë e mjegullt dhe pa përgjigje. E vetmja gjë që ne kemi të qartë është ajo çka qëndron mes dy palëve, pra ministrisë dhe kompanive që është kontrata e koncesionit.

Që në fillim të kësaj kontrate, thuhet: “Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë një rol parësor prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve të rinj ose rehabilitimit të hidrocentraleve ekzistues, me anë të procedurave të koncesionit për përmirësimin e treguesve teknikë dhe ekonomikë të rrjetit elektrik kombëtar.

Ajo e cilëson ndërtimin e hidrocentraleve një element i rëndësishëm të politikës së zhvillimit të energjisë. Vlerëson formën BOT të koncesionit si një formë koncesioni që bën të mundur nxitjen e investitorëve privatë për ndërtimin e hidrocentraleve të rinj me anë të kapitalit privat.” (kontratë tip BOT)

E njëjta kontratë tip nënvizon se “autoriteti kontraktues, me kërkesë të koncesionarit si rregull merr përsipër të bëjë të gjitha përpjekjet e duhura për të ndihmuar këtë të fundit në marrëdhëniet me të tretët, në mënyrë që të shmanget çdo pengesë që mund të haset në kuadër të shpronësimeve apo çdo lloj tjetër pengese në lidhje me servitutet dhe uzufruktet përkatëse për t’i siguruar koncesionarit një gëzim të qetë të sheshit për realizimin e punimeve, operimit normal për realizimin e kësaj vepre”.

Praktikisht me deklaratën e bërë së fundmi, këto angazhime të qeverisë bien poshtë. Një ndër pikat kryesore në këto kontrata është ajo ku thuhet se te detyrimet e autoritetit kontraktues është edhe që të sigurojë vazhdimësinë e kësaj kontrate pavarësisht ndryshimeve të objektivave të sektorit elektroenergjetik shqiptar. Ndërkohë në çdo lloj deklarate e një ministri apo ministreje, që del në ditën e dytë të marrjes së detyrës dhe thotë që unë do t’i ngrij të gjitha koncesionet që janë në ndërtim e sipër, është një rrufe në qiell të pastër për investitorët.

Ky është pezullimi i dytë i deklaruar që bëhet pas atij të pak viteve më parë, cilat janë efektet që ka kjo situatë tek investimet dhe investitorët vendas apo të huaj?
Për hir të së vërtetës, ne kemi kaq kohë që luftojmë për të ndryshuar këtë mënyrë paragjykimi për investimet në hidrocentrale. Është një lloj paragjykimi nga banorët e zonave ku ndërtohet, por edhe nga institucionet, ndërkohë që është mirë që në të tilla raste të flitet me studime dhe me fakte. Nuk mund të ndalosh një investim se nuk të pëlqen. Duhet ta argumentosh pse po e ndalon dhe pse tani. Edhe para 5 viteve, kur erdhi në pushtet, qeveria socialiste pati një lloj ngrirje dhe kjo krijoi një problem të madh. Shumë investime, edhe të huaja në mënyrë të veçantë, u tërhoqën ndërkohë që të tjerë u shtynë në kohë. Kur sapo ishte krijuar një lloj komunikimi, ministria ndryshoi procedurat për marrjen e lejeve dhe tani ato shkojnë 2-3 vjet për të marrë lejen e mjedisit. Ka raste zvarritjesh pafund.

Për shembull, në një fshat në Pukë ku është projektuar ndërtimi i një hidrocentrali, kanë ardhur 2-3 herë përfaqësues nga Instituti i Arkeologjisë. Sigurisht, miratimi i tyre duhet, por nuk mund të zgjasësh procedura të tilla pafund. Në Shqipëri dihet se ku janë zonat arkeologjike.

Vetëm për këtë duhen 6 muaj, pasi miratimi i Institutit të Arkeologjisë është kusht për lejen zhvillimore. Me nismën e fundit, siguria juridike e koncesioneve dhe gjithë investimeve ka bërë shumë hapa pas. Mendoj që kishim arritur një komunikim konstruktiv edhe në kohën e ministrit të mëparshëm dhe lejet vijuan të jepen duke u lehtësuar edhe përmes autorizimeve për HEC-et nën 2 MW. Tani ka pasur shqetësime nga shumë investitorë të cilëve u është thënë të ndërpresin punimet apo se nuk iu zbardhen lejet, ndërkohë që janë në fazën finale të marrjes së tyre.
Pezullimi gjithsesi është i pabazuar tërësisht. Ajo që ne na shqetëson është vendimi dhe bllokimi në bllok i këtyre kontratave që mund të jenë në proces ndërtimi apo zhvillimi. Monitorimi i kontratës nga ministria është detyrë normale dhe kjo mund të bëhet pa bllokuar punën e investitorëve.

Mund të flasim pak për efektet ekonomike që ka kjo nismë, cilat janë disa prej tyre?
Efektet e bllokimit janë të shumta. Së pari dëmtojnë ekonomikisht investitorët dhe ajo çfarë është më e keqja nënkontraktorët. Nëse ministria vendos ndalimin, investitorët do ta ndalin investimin dhe për rrjedhojë, nuk do të paguajnë nënkontraktorët. Janë me dhjetëra firma që ju pezullohet puna, pagat e punonjësve, duke lënë në fund hapësirë për abuzim. Krijohet edhe frika për abuzim nga ana e ministrisë se cila do ta kalojë këtë provë të re që shkon përtej kontratës.

Së dyti, një tjetër efekt, është se shtyhet në kohë sasia e prodhimit të energjisë së këtyre HEC-eve, duke shkelur afatet e negociuara në kontratë për fillimin e punës dhe duke bërë që kjo sasi energjie të importohet, domethënë të tenderohet në të ardhmen duke lënë gjithmonë vend për abuzim.

Së treti, frikëson me një efekt shumë të madh investitorët e tjerë potencialë, të cilët shikojnë se si trajtohen kontratat, tashmë jo vetëm kur ndërrohen qeveritë, por edhe kur ndryshohen ministrat brenda qeverisë. Kjo do të thotë më pak investime të huaja në vend.

Përtej anatemimit që u bëhet këtyre hidrocentraleve duhet të kemi parasysh që, bazuar në të dhënat e shoqatës AREA në këtë sektor janë investuar mbi 400 milionë euro. Po të llogariteshin me një kthim investimi për 10 vjet, del që fitimi i këtyre HEC-eve duhet të jetë 40 milionë euro në vit, e cila me një taksë mesatare tatim fitimi 10% i paguhen shtetit, 4 milionë euro në vit.

Për të realizuar këto vepra në zonat rurale është investuar edhe në rrugë dhe infrastrukturë, të mira këto që komuniteti i gëzon çdo ditë. Në fakt shumë nga komunat ku ka pasur investime në HEC-e të vogla janë bërë atraksione për turistët vendas dhe të huaj, meqenëse këto HEC-e kanë bërë të aksesueshme shumë fshatra piktoreske dhe me ajër të pastër për shkak të klimës malore.

Energjia e prodhuar blihet nga shteti duke ju referuar Bursës së Hungarisë x një bonus 1.3. Por këto biznese, duke paguar tatimet dhe taksat në vend, bëjnë që çmimi real të jetë 40% më lirë sesa energjia e importit, duke mos lejuar kështu edhe daljen e valutës jashtë vendit. Këto investime, në fund të periudhës 35-vjeçare mbeten në pronësi të shtetit, në respekt të kontratës koncesionare. Pra janë në fakt një pasuri kombëtare. Në këtë klimë duhen përmendur edhe të mirat e punësimit jo vetëm për punonjësit në zonat rurale, por edhe për inxhinierët e rinj që sapo mbarojnë universitetin, që kanë një ofertë për punë, duke u dhënë vlerë konkrete studimeve të tyre në vite./Monitor/

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/ngrirja-e-kontratave-te-hec-eve-e-pabazuar-ne-ligj-investitoret-te-frikesuar-625153/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme