Përshpejtimi i nënçmimit të euros ndaj lekut me gati 5% në harkun e pesë muajve të parë të vitit dhe 8% që nga fillimi i 2016-s i ka bërë të “pafuqishme” institucionet financiare dhe grupet e ekspertëve për të gjetur faktet reale për zhvillimet në kursin e këmbimit, e për rrjedhojë “recetat” që mund të frenojnë rënien e mëtejshme të monedhës europiane për shkaqe të tregut të brendshëm po bëhen gjithnjë e më të vështira.
Banka e Shqipërisë dhe ekspertë të çështjeve makroekonomike në vend, ditët e fundit janë përfshirë në një debat për arsyet e forcimit të monedhës vendase dhe efektet që kanë ato te sektori i manifakturës. Profesorët Arben Malaj, Ardian Civici, Selami Xhepa, Arian Kadareja, Artan Gjergji, Ilia Kristo, Oltion Rrumbullaku shtruan disa teza se si mund të minimizohen efektet negative që krijon kursi te konkurrueshmëria e ekonomisë vendase. Pjesa më e madhe e ekspertëve ndajnë mendimin se forcimi i pazakontë i euros po vjen nga sektori informal dhe nuk ngurrojnë ta pohojnë hapur këtë.
Malaj: Duhet analizuar pse është rritur oferta, kursi do kthehet në nivele të arsyeshme
Profesor Arben Malaj thotë se për t’iu përgjigjur pyetjes se pse ka rënë euro, duhen analizuar faktorët që kanë ndikuar në rritjen e ofertës për euro dhe/ose rënien e kërkesës.
Nëse do të analizonim hyrjet/ofertën do të duhet të mbajmë parasysh hyrjet nga eksporti, nga investimet e huaja direkte, nga remitancat dhe ato që në bilancin e pagesave konsiderohen hyrje për diference dhe që janë të pamatshme. Ekspertët vlerësojnë së këta tregues kanë rritje.
Nëse do të duhet të analizojmë krahun e kërkesës për euro që në këtë rast duhet të jetë në rënie që euro të zhvleftësohet dhe monedha kombëtare të forcohet, duhet të analizojmë së cilët nga faktorët e kërkesës ka renë, ka rënë kërkesa e sektorit privat, ka rënë kërkesa për euro nga kompanitë publike apo buxheti i shtetit ose faktorë të tjerë.
Një analizë e veçante kërkohet për sektorin bankar, nivelin e parë ku përfshihet banka qendrore dhe nivelin e dytë ku përfshihen bankat dhe institucionet financiare jobankare.
Përsa i përket Bankës së Shqipëri në plotësimit të objektivit të saj për inflacionin 3% dhe në analizë të instrumenteve të politikës monetare, (në përputhje me kursin e këmbimit luhatëse që në vitin 1992), sipas ekspertëve të BSH nuk ka ndërhyrje me efekt influencues në kursin e këmbimit.
Ndoshta duhet të mos nënvleftësojmë edhe daljet në treg të kompanive private të cilat kanë të ardhura në valutë dhe shlyejnë detyrime në lekë për pagimin e pagave, sigurimeve shoqërore, tatimin e fitimit të vitit të mëparshëm etj.
Ndërsa procesi i kredidhënies në euro që rrit ofertën e euros nuk është në nivele deformuese të kursit të këmbimit. Si pjesë e paketës de-euroizuese kredia ne valutë tentohet të ulet duke ulur edhe riskun e kursit të këmbimit për kredimarrësit që i kanë të ardhurat në lekë dhe marrin kredi në valutë të huaj. Efekti psikologjik i strategjisë së deuroizimit duhet të reduktohej apo menaxhohej në një strategji komunikimi lehtësisht të kuptueshme dhe me intensitetin e duhur publik për të minimizuar çdo konvertim të depozitave në euro në monedhat të tjera, sidomos për depozitat jashtë sistemit bankar, por që bëhen pjesë e rritjes së ofertës së euros në treg.
BSH e ka analizuar këtë trend dhe ka arritur në konkluzionin së forcimi i monedhës kombëtare është bazuar në tregues jo fondamentale dhe për pasojë në të ardhmen do të kthehet në nivele të arsyeshme. Kjo është kritike sidomos për eksportuesit që janë prekur në nivele relativisht te larta, çka dëmton aftësinë e tyre konkurruese, redukton qoftë edhe përkohësisht investimet dhe numrin e punonjësve. Ekonomia shqiptare duhet të bazohet tek rritja e eksporteve prandaj strategjia e rritjes së tyre duhet të jetë shumë dimensionale ku duhet të harmonizohen politikat monetare me ato fiskale, rekomandon Malaj.
Civici: Tregu monetar reflekton një ofertë të madhe eurosh
Profesor Adrian Civici, president i UET, pohon se duket se në tregun monetar shqiptar, euro ka hyrë në një trend renës afatgjatë. Analizat e këtij fenomeni të çojnë në konkluzionin se shkaku kryesor është disponibiliteti apo oferta e lartë e euros në treg në raport me lekun. Tregu monetar shqiptar reflekton një ofertë të madhe eurosh, si kundrejt nevojës apo tërheqjes së euros ashtu dhe kundrejt ofertës së lekut. Duke iu referuar analizave të Bankës së Shqipërisë mund të nënvizohet dhe fakti i efekteve pozitive të ndryshimeve me karakter strukturor, si përmirësimi i bilancit të pagesave, deficiti i ulët buxhetor, përmirësimi i raporteve import-eksport, shtimi i IHD, etj.
Faktor që duhet nënvizuar është dhe reagimi i publikut kundrejt politikës së de-euroizimit që po ndiqet aktualisht në Shqipëri, e cila në shumë raste është kuptuar e interpretuar gabimisht si tendencë dhe qëllim për të braktisur euron në emër të lekut. Po të kemi parasysh ardhjen e sezonit turistik që, historikisht është shoqëruar me hyrje masive eurosh, është e qartë se edhe në muajt në vazhdim mund të kemi të bëjmë me një euro që do të vazhdojë të këmbehet në nivelet 127 – 129 lekë.
Pasojat e këtij kursi këmbimi do ndihen më shumë tek të ardhurat e eksportuesve shqiptarë, të cilat po shënojnë ulje, te kursimet apo depozitat në euro, vlera e të cilave do të ulet. Mendoj se bankat tregtare gjithashtu po preken negativisht nga kursi i nënçmuar i euros. Ndërkohë, priten përfitime nga importuesit sidomos ata që operojnë në Eurozonë. Efekte pozitive kanë individët apo bizneset që kanë marrë kredi në euro dhe të ardhurat bazë i kanë në lekë. Kjo kategori do të favorizohet në shlyerjen e kësteve të kredisë. Edhe qeveria favorizohet nga kjo tendencë rënëse e euros, pasi ulet vlera e borxhit publik.
Preçi: Oferta e parave me orgjinë kriminale ka dobësuar euron, po deformon ekonominë
Eksperti Zef Preci thotë se oferta monetare e parave me origjine kriminale në ekonominë Shqiptare është tejet e madhe dhe përbën një kërcenim serioz për deformime të tjera në këtë ekonomi.
Sipas tij, zhvillimet e gjysmës së parë të 2018-tës, sidomos sa i takon mbiçmimit të Lekut Shqiptar, po provojnë se oferta monetare e parave me origjinë kriminale në ekonominë Shqiptare është tejet e madhe dhe përbën një kërcenim serioz për deformime të tjera në këtë ekonomi. Deri më tani, si evidence në funksion të këtij argumenti, përveç “avullimit” të rreth 350 milionë Eurove nga kursimet e popullatës, janë shfaqur edhe pasojat në përkeqësimin e situatës së kompanive që eksportojnë mallra shqiptare jashtë vendit.
Gjithashtu, edhe “rigjallërimi” i pajustifikuar i tregut të pasurive të patundshme, kryesisht nëpërmjet transaksioneve në cash dhe pa ndonjë lidhje me zhvillimet në kërkesë-ofertën e këtij tregu, është rrjedhojë e kësaj situate?
Xhepa: Kursi po ndikohet nga faktorë anormalë, do vuajmë “sëmundjen holandeze”
Profesor Selami Xhepa nuk është i bindur se të ashtuquajturat fondamente po ndikojnë kursin e këmbimit.
“Logjika e shpjegimit të sjelljes së kurseve të këmbimit që mbështetet tek fondamentet ekonomike argumenton se aktiviteti i tregtisë me jashtë, në mallra dhe shërbime bashkë me lëvizjet kapitale në hyrje dhe në dalje, duhet të përcaktojnë edhe kursin e këmbimit, që mban ekonominë në ekuilibër.
Pra, në rast se në vendin tonë, prurjet valutore janë shumë të forta, kjo mbështet tezën se monedha e vendit duhet të jetë e fortë, pasi relativisht oferta e monedhave të huaja (euros) është shumë më e lartë. Në rast se aktivitetet ligjore – pra, tregtia dhe investimet – do të ishin në nivele të tilla të forta, kjo mund të konsiderohej si një zhvillim i natyrshëm. Në fakt, në këto aktivitete “normale” (ligjore), nuk ka asgjë anormale, eksesive. Importet dhe eksportet, investimet e huaja dhe remitancat janë një normalitet statistikor. Prandaj besoj se sjellja anormale u atribuohet faktorëve anormalë – hyrjeve valutore të forta nga ekonomia e zezë dhe kriminale e trafiqeve të llojeve të ndryshme”, thotë ai.
Njëlloj si “sëmundja holandeze” e mesit të viteve ’70, ku të ardhurat shumë të larta në dollarë, që u arkëtuan nga tregtia e naftës së sapozbuluar në Detin e Veriut, duke forcuar ndjeshëm monedhën e tyre, Gulden, rrezikuan të humbisnin bazën e eksporteve të manifakturës, edhe ne jemi duke rrezikuar me monedhën e fortë, të dëmtojmë shumë ekonominë e eksportit, që edhe kaq sa është, është shumë e vogël dhe problematike. Besoj se deri tani kemi pasur mundësinë të përjetojmë tre ndikimet më serioze negative të ekonomisë së kanabisit: dëmtimin e industrive të eksportit, rritjen e krimit në vend dhe rëndimin e problemeve sociale dhe deformimin e proceseve demokratike për shkak të manipulimit të proceseve zgjedhore.
Si një faktor tjetër të rëndësishëm në këto zhvillime monetare do të konsideroja edhe aksionin politik ndaj de-eurozimit të ekonomisë. Është e vërtetë se Shqipëria ka nivele të larta të euroizimit jozyrtar, ku depozitat e qytetarëve në euro zënë më shumë se gjysmën e totalit, ndërsa ato të biznesit më shumë se 60%. Po kështu edhe në krahun e aseteve të sistemit bankar: kredia në euro, edhe pse në rënie, vazhdon të dominojë mbi kredinë në monedhën e vendit.
Në këto rrethana të një përdorimi kaq masiv të euros në vend, shqetësimi se politika monetare mund të jetë joefektive si në menaxhimin e cikleve të biznesit, ashtu dhe të krizave të mundshme financiare (pamundësohet funksioni i huadhënësit të radhës së fundit), krijojnë me të drejtë shqetësim mes autoriteteve monetare.
Por, veprimi politik duhet të jetë shumë më i matur dhe të menaxhojë në mënyrë të zbutur një proces riaxhustimi të kurseve, nëse kjo është shqetësuese. Nga njëra anë, Banka e Shqipërisë e ka bërë pothuaj të pamundur, ose shumë të kushtueshme, që bankat në vend të bëjnë biznes me euro – si nga depozitat ashtu dhe nga kredia. Pra, i gjithë ndërmjetësimi në euro në vend është bërë problem për bankat. Kjo bën që bankat të mos gjejnë alternativë përdorimi veçse duke i investuar ato jashtë, në mënyrë që të mbyllin pozicionet e hapura valutore.
Kjo lloj “hinke”, që është krijuar midis një baze të gjerë monetare në euro dhe një përdorimi shumë të kufizuar të saj në treg, nuk ka se si të mos krijonte një çekuilibër të tillë të fortë në tregun valutor. Ky kuadër i rreptë rregullator, bashkë me deklarimet e niveleve të larta për “luftë euros” dhe prurjet shumë të forta nga ekonomia kriminale, po rrezikojnë më shumë destabilitet në tregun monetar të vendit, duke prodhuar kosto të forta për qytetarët dhe ekonominë, përfundon Xhepa.
Kadareja: Të neutralizohet ndikimi që vjen nga ekonomia e zezë
Prof. Assoc. PhD Arjan Kadareja nga Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë shprehet se Banka Qendrore duhet të synojë neutralizimin e zhvlerësimit të euros të shkaktuar nga faktorë të tillë si hyrjet e parave të ekonomisë së zezë dhe spekulimi.
Ai thotë se nëse shohim të dhënat, euro qëndroi rreth nivelit 140 lekë nga viti 2010 deri në fund të 2015-s, më pas gjatë dy viteve të fundit u zhvlerësua gradualisht ndaj lekut, duke arritur një vlerë rreth 10% më të ulët. Kadareja analizon dhe faktorët që kanë ndikuar në këtë tendencë:
Së pari, mendoj se në periudhën 2016-2018, në forcimin e lekut kanë ndikuar faktorë ekonomikë si përmirësimi relativ i deficitit tregtar, investimet e huaja të drejtpërdrejta në objektet e rëndësishme, sezonet e suksesshme turistike, si dhe rritja relative e dërgesave të emigrantëve.
Së dyti, por jo nga rëndësia, mendoj se faktorë të rëndësishëm janë flukset e parave të ekonomisë së zezë gjë që, sikurse është argumentuar në media, dëshmohet tërthorazi nga shumë kapje të ngarkesave të drogës në vendet fqinje dhe në Shqipëri, si edhe pozicionet spekuluese kundër euros, gjë e vënë në dukje edhe nga banka qendrore në 2018-n. Kapjet e ngarkesave të drogës kanë ardhur në rritje në sasi dhe vlerë, sidomos në periudhën 2016-2018. Tërthorazi, këto kapje dëshmojnë për funksionim të lartë të ekonomisë së zezë që të ardhurat i ka në euro e që më pas këto flukse hyrëse ushtrojnë presion për forcim të lekut ndaj euros.
Në 5 muajt e parë të 2018-s, mendoj se janë zvogëluar efektet e Investimeve të Huaja Direkte, bilancit tregtar dhe dërgesave, ndërsa duket se vazhdojnë efektet e turizmit, spekulimit dhe flukseve të parave të zeza. Këto më lart mbështeten respektivisht nga lista e gjatë e mjaft prenotimeve për sezonin turistik, nga përmendja e spekulimeve nga banka qendrore, si dhe nga kapja e një sasie shumë të madhe kokaine në 2018-n.
Kristo: Ndikim ka dhe kontrolli më rigoroz i efekteve të parajsave apo sistemit të pastrimit të parave
Ilia Kristo, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, thotë se duhet të përcaktohen faktorët që po ndikojnë kursin e këmbimit nga Banka e Shqipërisë në bazë të studimeve të thelluara. Ai pohon se prirja e një rënieje të Euros në dy vitet e fundit në përgjithësi edhe në raport me lekun, janë multifaktoriale.
“Po të gjitha përmblidhen në faktorët që ndikojnë “çmimin”, pra kursin e këmbimit të euros me monedhat e tjera të rëndësishme në glob, në kushtet e zgjerimit të integrimit rajonal e globalizimit, përfshirë edhe kursin Euro/Lekë. Kursi këmbimit përcaktohet nga raporti kërkesë-ofertë për monedhën përkatëse, të cilat ndikohen, nga prirja gjeografike e import-eksporteve të çdo vendi apo rajoni, që e përdorin monedhën përkatëse, që nënkupton dinamikën e kërkesës dhe ofertës për monedhën përkatëse, që ndikon edhe kursin.
Por oferta gjykoj që lidhet edhe me faktorë të tjerë, ndër të cilët edhe politikat financiare të vendeve të veçanta e blloqeve të integruara, si dhe prirjet për një kontroll më rigoroz të efekteve të parajsave apo sistemit të pastrimit të parave, çka duket që në muajt e fundit ka një dinamikë në rritje lokale, rajonale dhe të institucioneve globale financiare”.
Gjergji: Ndikim nga burimet jo zyrtare të hyrjes së valutës
Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, që në fillim të herës, specifikon që nuk kemi të bëjmë me një zhvlerësim të euros, por me një vlerësim të valutës sonë kombëtare karshi valutës euro. Nëse ky vlerësim nuk shoqërohet as me një zhvlerësim të euros me të njëjtat ritme në tregjet ndërkombëtare karshi valutave të tjera të forta, teoritë ekonomike na mësojnë se kemi të bëjmë ose me një rritje të ofertës në euro, ose me një reduktim të ofertës në lekë në tregun e brendshëm.
“Në kushtet e mungesës së informacionit publik statistikor në lidhje me volumet e tregut të brendshëm të valutave të huaja, s’na mbetet veçse të besojmë argumentet e bëra publike nga institucionet përgjegjëse, sipas të cilave kemi një rritje të remitancave, investimeve të huaja apo edhe të ardhurave nga turizmi.
Megjithatë, në mungesën e statistikave publike mbështetëse të këtyre argumenteve, personalisht mendoj se ka edhe burime të tjera që ndikojnë në lidhje me vlerësimin e lekut karshi valutës euro, ndër të cilat besoj kanë të bëjnë edhe të ardhura të agjentëve ekonomikë nga burime jozyrtare, si dhe një ndikim të fortë manipulativ në tregun jo-zyrtar valutor, që shfrytëzon sinjalet dhe perceptimet në publik, që mund të kenë dhënë politika e Bankës së Shqipërisë për de-euroizimin”, pohon ai.
Rrumbullaku: Kursi po ndikohet nga efektet e Vetting-ut
Oltion Rrumbullaku, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, tha se mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit po ndikohet nga lëvizjet e fundit në kuadrin e Reformës në Drejtësi, të cilat kanë nxjerrë në pah të gjithë këto problematika dhe individët që dyshojnë se pasuritë e tyre nuk mbështeten në forma të sigurta, po bëjnë lëvizje korrigjuese.
Rrumbullaku mendon se tek ecuria e kursit po ndikojnë faktorët formalë dhe faktorë informalë. Tek faktorët formalë janë të gjitha ndryshimet kryesore pozitive në ekonomi. Vërehen tendenca të rritjes së punësimit, e shoqëruar me rritje të punësimit të shërbimeve që janë të lidhura dhe me shtetet fqinjë. Për pasojë ka një ofertë më të madhe në monedhën euro.
Po ashtu ka një rritje të konsiderueshme të turizmit që tashmë është më i shpërndarë gjatë gjithë vitit dhe jep ndikim në një ofertë më të madhe në kursin e këmbimit. Në të njëjtën kohë, muajt e parë të vitit 2018 janë karakterizuar nga një rritje e konsiderueshme e raportit eksport/import, që tashmë qëndron në nivelet mbi 50%, duke u distancuar nga nivelet rreth 40% që ka pasur më parë. Të gjithë këta faktorë kanë qëndruar në të njëjtin krah të rritjes së ofertës së euros, duke sjellë prirje të vlerësimit të lekut në fillimin e vitit 2018.
Nga ana tjetër, kemi ndryshime të rëndësishme dhe tek faktorët informalë. Shumë biznese dhe individë me pasuri të konsiderueshme kanë mospërputhje të mëdha midis burimit të të ardhurave dhe pronave apo aseteve që zotërojnë. Lëvizjet e fundit në kuadrin e Reformës në Drejtësi kanë nxjerrë në pah të gjithë këto problematika dhe individët që dyshojnë se pasuritë e tyre nuk mbështeten në forma të sigurta, po bëjnë lëvizje korrigjuese. Për pasojë, këta muajt e fundit kemi një rikonceptim dhe rikarakterizim të konsiderueshëm të shpërndarjes së parave, pronave dhe investimeve të individëve të përfshirë në sistemin e drejtësisë, dhe në sistemet e tjera të pushtetit.
Po ashtu, një fenomen i ngjashëm mund të ndodhë dhe me pasuritë e fshehura jashtë vendit, të cilat mund të mos konsiderohen më përsëri shumë të sigurta, për shkak të një prirje më të madhe të shteteve të përfshira për të qenë më transparente në këtë drejtim, përfundon Rrumbullaku. /Monitor/
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...