Google ADS

Nga konflikti për pronën te denigrimi në Facebook, historia e vëllavrasjes në Tiranë

20:24 | 30 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Gjithçka kishte nisur si një konflikt për pronën. Dy vëllezërit kishin ndarë kompaninë e përbashkët dhe banesën e familjes, por më i madhi duket se kishte mbetur i pakënaqur. Konflikti vazhdonte prej vitesh sipas fqinjëve në rrugën Islam Alla. Por kohët e fundit, vëllai më i vogël, Hamzai e kishte parë veten si viktimë të një serie sulmesh në rrjetet sociale nga një profil me emrin Visiana Dada.

Madje në njërin prej tyre Hamza Muskurti akuzohej edhe për shfrytëzim prostitucioni, trafik droge dhe vrasjen e ish-shokut të tij Iliaz Çali. “Arsen Musa Muskurti personi me i njohur ne dyeret e policise se shtetit per te krijuar besushmeri ne syte e tyre dhe sinqeritet dhelperor tregtar prostitutash dhe lende narkotike ne dubai vrases i Iljas Çalit ( ishte shoku i tij femirie bashke studiues ne arabine saudite ne degen Daëe ) me prishjen e pazareve te prostitucionit Arsen Musa Muskurti me sherbim pagese dhe me ndihmen e policeve vret shokun e tij Iljas Çalin” thuhet në statusin e datës 5 Gusht.

Hamza Muskurti dyshonte se pas këtij profili fshihej i vëllai dhe kunata. Fillimisht iu përgjigj me të njëjtën monedhë përmes një statusi në rrjetet sociale, ku edhe i paralajmëronte për pasojat.

“TI NORA MUSKURTI bashkëshortja e Dritanit (Albanit) nga mllefi që ka për vjehrrën e saj që e ka bërë LANET. Këto që keni bërë JU i dinë të gjithë njerëzit, FISI, KOMSHINJTË, SHOK, MIQ & Dashamirës të gjithë i dinë cfarë keni bëre ju të dy burrë e grua, TURP për DRITAN MUSKURTI që flet kështu kundër vëllait të tij prej nëne, TURP për NORA MUSKURTI, që flet kështu kundër kunatit të saj. Populli thotë: Ai që mundohet të hedh vëllain në gropë bjen vetë në grope”.

Më pas, i prekur nga akuzat kishte marrë nënshkrimin e punonjëseve të tij, për një deklaratë noteriale. Ato deklaronin se nuk ishin ngacmuar asnjëherë nga Hamza Muskurti gjatë punës së tyre, siç ishin përhapur fjalët në rrjetet sociale.

Por kjo deklaratë nuk e ndali përndjekjen. Sërish në Facebook vazhduan sharjet dhe ofendimet, që e përshkruanin si një njeri amoral që ngacmonte seksualisht punonjëset e kompanisë së tij.

Madje sipas tij, i vëllai bëri bashkë rreth 300 numra telefoni në një grup në Whatsapp, ku vazhdoi të përhapë sharje dhe ofendime. Rreth një javë më parë, ai i lutej të afërmve dhe miqve të tij të dilnin nga grupi dhe të bllokonin numrin që e përndiqte.

“O vëllezër bëni LEFT këtij grupi me emrin VISJANA DADA dhe HIQENI nga SHOKËT këtë emër bëni BLOCK, (foto profili është një glob) se as mua nuk po me lejnë rehat as juve. Ju lutem se po na shkatërrojnë dhe neve dhe juve” shkruante Hamza Muskurti duke përmendur të vëllain.

Por edhe pas thirrjeve në rrjetet sociale për miqtë dhe të afërmit, përndjekja ka vazhduar. Konflikti që kishte nisur për një pronë të përbashkët, kishte degraduar tashmë në kufijtë e çmendurisë. postimet ishin të pandalshme.

E vetmja mënyrë që ka gjetur për t’i dhënë fund përndjekjes ka qenë ekzekutimi i vëllait dhe kunatës së tij. Këtë të martë, ka marrë armën dhe i ka shkuar në zyrën e agjensisë turistike fare pranë shtëpisë së tij, në rrugën Islam Alla duke i lënë të dy të vrarë./Lapsi.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme