Media e njohur britanike “The Sun” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Tiranës dhe turizmit në Shqipëri. “The Sun” këshillon qytetarët britanikë që të kenë në radarin e tyre vendin tonë jo vetëm për çmimet e lira, por dhe për vendet e bukura që mund të shijojnë.
Shqipëria, popullariteti i të cilës vazhdon të rritet po kthehet në një pikë e re turistike, falë çmimeve të lira, peizazheve të mahnitshme dhe historisë magjepsëse, shkruan Hope Brotherton në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Sun”.
Ndërsa vende si Spanja dhe Greqia kanë qenë ndër destinacionet e preferuara të britanikëve prej vitesh, vendi evropian shpesh është anashkaluar.
Shqipëria krenohet me historinë e saj magjepsëse, peizazhet e mahnitshme natyrore dhe plazhet me ujëra të pastër kristal.
Pavarësisht se një pjesë e madhe e pushuesve britanikë po e zbulojnë tani vendin mesdhetar, popullariteti i Shqipërisë ka qenë në rritje vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Bordit Turistik Shqiptar, vendi priti 8,3 milionë vizitorë në vitin 2023, që ishte një rritje prej 4 milionë krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa shumica e pushuesve dynden në Ksamil, Himarë dhe Sarandë në Rivierën Shqiptare, popullariteti i kryeqytetit të vendit, Tiranës po rritet falë çmimeve të përballueshme. Sipas një ekipi të ekspertëve të udhëtimit, Tirana ofron birrat më të lira në Evropë, një krikëll kushton 2,06 paund.
Ushqimi tradicional
Një nga gatimet kombëtare të vendit është Tava e kosit, një pjatë me mish qengji të pjekur e shërbyer me një salcë kosi të aromatizuar. Pjata të tjera tradicionale përfshijnë byrekun, një ushqim i shijshëm i bërë nga shtresa të holla brumi dhe i mbushur me një sërë përbërësish si djathë, spinaq dhe mish me erëza. Gjithashtu, pushuesit duhet të provojnë ëmbëlsirën e quajtur trileçe, një puding i pjekur i bërë nga tre lloje të ndryshme qumështi. Përveç ushqimeve dhe pijeve të volitshme, kryeqyteti ju ofron një sërë aktivitetesh të tjera.
Muzetë magjepsës
Një nga vendet magjepsëse është Bunk’Art 1, një bunker masiv i Luftës së Ftohtë i kthyer në muze.
Diktatori komunist Enver Hoxha ndërtoi pallatin e madh pesëkatësh të nëndheshëm për të mbrojtur veten dhe zyrtarët e tjerë të lartë në vitet 1970. Bunkeri u hap si një atraksion turistik në vitin 2014 dhe tani strehon ekspozita të historisë moderne, si dhe pjesë të artit bashkëkohor. Gjithashtu, turistët mund të vizitojnë edhe Bunk’Art 2, i cili u hap kohët e fundit dhe mbulon historinë e Ministrisë Shqiptare. Një tjetër atraksion i njohur turistik është teleferiku ne Malin e Dajtit, i cili ndodhet vetëm 15 minuta nga qendra e qytetit./tch
Hiqet ndalesa për kamionë në rrugën Tetovë-Kodra e Diellit
Arrestohet gjenerali i Assad, përgjegjës për dhënien e mijër...
Lukashenka fal 20 të burgosur
Gërvalla: Liberalizimi i vizave si rezultat i luftës ndaj ko...
“Sonte nuk jom ‘kingu’, jom baba”, Gjesti flirtues ndaj Xhen...
Kurti me thirrje për ambasadorët: Historinë e Kosovës tregoj...