Nga burgu në dasmë

20:57 | 19 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Pasi u mbajt një muaj në paraburgim, më në fund Arvis Muça jo vetëm që është i lirë, por edhe do të martohet.

Prokuroria u tërhoq nga qëndrimi dyshues se ai ishte i implikuar në tentativën për të trafikuar 1.3 ton hashash. Për shkak të mungesës së provave, i njëjti prokuror që më herët këmbënguli për arrest me burg, i kërkoi gjykatës të jepte masën detyrim paraqitjeje ndaj 24-vjeçarit.

Por, më herët, vlonjati kishte njoftuar gjykatën se do të martohej në 27 gusht dhe se po i shkatërronin jetën, ndërsa këmbënguli mes lotëve se nuk ishte i përfshirë në historinë e drogës që u gjet e braktisur në Kavajë në dy automjete.

Për njërin nga mjetet që dyshohej se i përkiste Arvis Muçajt, i dyshuari kundërshtoi duke rrëfyer se makinën e kishte shitur tek Erges Sina, i cili nuk pranonte të përpilonin dokumenat. Pavarësisht këtij qëndrimi dhe faktit që Sina është në kërkim, përveç Muçajt, prokuroria çoi në burg edhe pronarin e mëparshëm të makinës, Artistotel Kasajn.

Avokati Saimir Visha tha: “Do t’i nënshtrohemi vendimit të pushimit të çështjes dhe me pas do të marrim kompensimin për kohën e vuajtur padrejtësisht. Unë mendoj se në raste të tilla, organi i akuzës dhe gjykata nuk duhet të nxitohen me masat e arrestit në burg”.

Ndërkohë, pritet që edhe për Aristotel Kasajn avokatët të kërkojnë lirimin e menjëhershëm, pasi për të njëjtin konflikt edhe ky i dyshuar pretendon të ketë depozituar në muajin maj një kallzim penal.

Ngarkesa e drogës u zbulua nga një postbllok policor që kishte tentuar të ndalonte dy automjete. Pas ndjekjes, makinat u gjetën të braktisura dhe të ngarkuara me drogë, ndërsa më pas u arrestuan si transportues të hashashit shtetasit Kejvi Jadari, Roland Hysenbelliu dhe Joni Sadikaj. Ky i fundit është i afërm i personit të shpallur në kërkim, Erges Sina.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme