Google ADS

Nga 100 shqiptarë të arsimuar që largohen nga vendi, vetëm 28 punojnë në profesion

18:24 | 9 Gusht 2024
R J

Shqiptarët e kualifikuar, ose siç konsiderohen ‘truri’ i vendit, të cilët po migrojnë, duket se përballen me një realitet tjetër jashtë Shqipërisë.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se vetëm 28% e emigrantëve shqiptarë arrijnë të punësohen në profesionet të cilat janë arsimuar, që e bën të renditet ndër të fundit në nivel global.

Ekspertët e punësimit ngrenë shqetësimin se numri i madh i diplomave të marra në Shqipëri nuk ju siguron dijet e nevojshme për t’u përshtatur në tregun ndërkombëtar.

“Që do të thotë nga 100 shqiptarë të arsimuar që largohen nga Shqipëria, vetëm 28 prej tyre punojnë në profesion. Në radhë të parë, ky arsimimi që ne e quajmë këtu, kur shkon dhe ballafaqohet me njohuritë dhe aftësitë që duhen në vende që janë më të zhvilluara se ne, si duket ne nuk kemi të njëjtën gjatësi vale me ta dhe kjo e bën që të arsimuarit tanë të mos konsiderohen si të tillë. Pra, të shihet me kujdes pjesa e trurit tonë, është vërtetë truri apo pseudotru?”, tha Erald Pashaj, ekspert punësimi, raporton TopChannel.

Si e shpjegojnë studiuesit kompromisin e bërë nga shqiptarët që largohen nga Shqipëria duke lënë pas punë të profileve me pozicione të larta?

“Pse pranojmë që të shkojmë të bëjmë punë të çfarëdolloj natyre, sado që atje jemi nën statusin social që jemi këtu? Prapë jemi të gatshëm të pranojmë rënien e statusit sepse këtu jemi keq. Nuk është mirë në paga, por edhe në kushte, në stres, në ngarkesën që marrim çdo ditë”, tha Pashaj.

Veç mospërputhjes së arsimimit me aftësitë, një tjetër faktor ndikues, shpjegojnë ekspertët e punësimit, është edhe mentaliteti i nënshtrimit të trashëguar nga periudha e komunizmit.

“Kur shkojmë jashtë në pjesën më të madhe në perëndim takojmë në pjesën më të madhe kamarierë, në shërbim shqiptarë që kanë vite që punojnë atje. Nuk kemi ambicien e duhur. Pse? Sepse edhe vetëbesimi është vrarë nga dy faktorë kryesorë, i pari ekonomik që kemi mangësi financiare dhe e dyta ne jemi ndjerë gjithmonë të dorës së dytë në Evropën e zhvilluar. Mendojmë se të huajt janë më të zotë se ne, dhe kjo natyrshëm na ndrydh”, tha Pashaj.

Specialistët e mjekësisë të larguar nga Shqipëria drejt Evropës, janë ata që e kanë pasur më të lehtë punësimin në profesion, për shkak edhe të kërkesës së lartë në këto pozicione pas pandemisë së Covid-19. /tch

Të ngjashme