Gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Paris, dy qeveritë, ajo shqiptare dhe franceze, kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri – Francë në nivel strategjik.
Gjatë vizitës palët patën mundësinë të konfirmojnë marrëdhënien speciale midis Shqipërisë dhe Francës si dhe rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.
Në takimin e posaçëm me homologun francez Bernard Cazeneuve, kryeministri Rama shprehu falënderimet e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit evropian të shtetit shqiptar, si dhe për vëmendjen e shtuar dhe dedikimin e Francës në mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve rajonale.
Nga ana e tij, kryeministri francez Cazeneuve vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, përpjekjet e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai, po ashtu, falënderoi palën shqiptare për bashkëpunimin me autoritetet franceze në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Bashkëbiseduesit veçuan rëndësinë e trefishtë të zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë të nevojshme për të rritur besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe impaktin e saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi. Pala franceze nënvizoi gjithashtu rolin e posaçëm të Shqipërisë në stabilitetin demokratik të rajonit.
Në përfundim të takimit, në praninë e dy kryeministrave, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe ministrat francezë Fekl, Desir dhe Todeschini, nënshkruan deklaratën e partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe marrëveshjet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.