Nënshkruhet marrëveshja, qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë drejt Azerbajxhanit pa viza

12:44 | 1 Mars 2024
K.B

Qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë drejt Azerbajxhanit pa patur më nevojë të pajisen me viza. Marrëveshja u firmos këtë të premte (1 mars) nga zv.ministri i Jashtëm, Bestart Kadia, i cili ishte pjesë e delegacionit të qeverisë në vizitën zyrtare që u zhvillua në Azerbajxhan.

Sipas qeverisë, kjo marrëveshje do të hapë mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve.

Zv.kryeministrja, Belinda Balluku bëri me dije po ashtu se në takimet e zhvilluara në Azerbajxhan u diskutua edhe lidhur me prioritete që kanë të bëjnë me gazifikimin.

“Është diskutuar gjatë për prioritete që kanë të bëjnë me gazifikimin, apo edhe me linjat e transmetimit të gazit që tashmë janë konkrete dhe operojnë në të gjithë Europën, por pas agresionit rus në Ukrainë, gazi ka qenë një nga çështjet më të diskutuara s ai përket furnizimit për të gjithë europën, por edhe krijimi e depozitave të sigurisë pasi sot flitet gjerësisht për një axhendë të gjelbër që Shqipëria kryeson, duke qenë që prodhimi ynë është i bazuar 1000% mbi burimet e rinovueshme. Por nga ana tjetër krijimi i infrastrukturës së gazit dhe për të patur burime alternative, sigurisht do t’i jepte Shqipërisë një siguri më të lartë energjetike. Janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh me palën azerbajxhanase, edhe një marrëveshje që ka të bëjë me heqjen e vizave për vizitorët mes dy vendeve”, tha Balluku.

Kryeministri Rama ndodhet sot në Baku, Azerbajxhan si i ftuar i Presidentit Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, si edhe për të diskutuar për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë.

Kryeministri tha në fjalën e tij se Shqipëria është pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit TransAdriatik që është një lidhje jetike në Korridorin Jugor të gazit, duke orientuar investimet drejt projekteve të energjisë së ripertëritshme dhe zhvillimit të infrastrukturës së qëndrueshme./rtsh.al/

Të ngjashme