Në kuadrin e publikimit në Bruksel të propozimit të Komisionit të BE-së për metodologjinë e re të zgjerimit, është rritur intensiteti i mesazheve politike nga BE për mbështetje e hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Dy institucione të rëndësishme të BE, Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian, njëri pas tjetrit, konfirmuan kohët e fundit mbështetjen e tyre. Charles Michel, Presidenti i Këshillit Europian, në vizitën e tij në Tiranë në fund të muajit të kaluar, premtoi mbështetjen e BE ndaj Shqipërisë “për të bërë hapa përpara në javët dhe muajt e ardhshëm për të arritur një qëndrim pozitiv unanim”. Një mesazh të njëjtë politik dha edhe Davide Sassoli, Presidenti i Parlamentit Europian, që përfundoi të martën ( 4.02) vizitën e tij dyditore në Tiranë: “Është koha e integrimit. procesi i anëtarësimit duhet të fillojë. Për këtë janë të bindur Parlamenti dhe Komisioni Europian. Shqiptarët duhen mbështetur në rrugën drejt BE-së dhe meritojnë përgëzime për hapat, që kanë ndërmarrë dhe besimin e madh që kanë tek BE. ” tha Sassoli në konferencën e përbashkëet për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai vlerësoi paketën e fundit ligjore për sekuestrimine pasurive të krimit të organizuar dhe dialogun qeveri-opozitë për reformën zgjedhore si “sinjale të mira që vijnë nga Shqipëria në BE”
Presidenti i PE rriti kreditet e Shqipërisë kur në fjalën që mbajti në Parlament solli në vëmendje të deputetëve që ” shqiptarët nuk kanë një plan B dhe BE është një zgjedhje që Shqipëria e ka bërë prej kohësh”.
Por kjo besnikëri nuk mjafton. Shqipëria duhet të përmbushë kushtet e Bundestagut Gjerman.
Kushtet e plotësuara ҫelësi për dritën e gjelbër
Genc Pollo, ish-deputet dhe ish-ministër i PD shpreson që metodologjia e re e zgjerimit do të mundësojë një konsensus mes shteteve antare të BE për hapjen e negociatave të lidhur me ploteësimin e kushteve të Bundestgut Gjerman. „Nëse kjo ndodh këtë mars, faktikishtit do të kemi për Shqipërinë një vendim në parim nga liderët e BE për fillim të negociatave me kushte, fjala është për kushtet në rezolutën e Bundestagut gjerman, tetorin e kaluar” thotë Genc Pollo për DW.
Në terma konkretë, sqaron Genc Pollo, kjo do të thotë që Konferenca e Dytë e Pranimit, që hap negociatat reale “do të ndodhë pasi Shqipëria të ketë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, si një nga kushtet e Bundestagut gjerman, plotësimi i të cilave është një ndihmë e madhe për të ripërmbushur disa standarde minimale të demokracisë dhe shtetit ligjor dhe dalë nga kriza e thellë kushtetutese e politike që ka mbërthyer vendin prej kohësh” .
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i European Movement – Albania mendon, se „ plotësimi tërësisht i kushteve të Bundestagut gjerman kërkon dakortësi politike, që për fat të keq mungon prej kohësh. Gjithsesi shanset e Shqipërisë për një vendim pozitiv janë rritur së fundi” thekson ai për DW.„ Kjo duket qartë në deklaratat e krerëve të vendeve kryesore të BE, që nga presidenti Macron tek kancelarja Merkel, e cila për herë të parë e tha publikisht në Berlin, muajin e kaluar, më 27 janar, që „duhet hapur rruga për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe bisedimet duhet të fillojnë në Mars,” thekson Gjipali për DW.
Përballë mbështetjes në rritje të BE-së Shqipëria duhet të thellojë reformat dhe të ketë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “ Shqipëria ka bërë mjaftueshëm për hapjen e negociatave, gjë që është rikonfirmuar nga KE. Shqipëria nuk duhet ta humbasë këtë moment pozitiv që po krijohet, nuk duhet të rrezikojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, gjë që do të sillte nje dekurajim të madh shoqëror në vend,” thekson për DW, Gledis Gjipali..
Por Genc Pollo mendon që dekurajimi dhe zhgënjimi shoqëror në Shqipëri nuk lidhet me negociatat e pranimit. “ Zhgënjimi dhe shpresëhumbja në Shqipëri, që po shkakton shpopullim masiv që nga 2014, nuk lidhet me moshapjen e negociatave, por kanë ardhur nga kapja e shtetit, oligarkizimi e pjesërisht kriminalizimi i ekonomisë, përfshirja e qeverisë në krimin e organizuar dhe e këtij të fundit në ruajtjen e pushtetit politik aktual” thotë për DW, Genc Pollo.
Ai thekson se krahas përmbushjes së kushteve të Bundestagut gjerman, “rruga për normalizimin politik dhe demokratik në vend kalon nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale me një qeveri kujdestare”.
Por maxhoranca socialiste, me të cilën ish-deputetët e PD po dialogojnë për të kryer reformën zgjedhore dhe përmbushur një nga kushtet e Bundestagut gjerman; nuk e lidh këtë përmbushje me kryerjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, tha të martën, ( 4.02) në takimin në Tiranë me Delegacionin e Nivelit të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që po zhvillon një mision faktmbledhës në Shqipëri, se “zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen në qershor 2021 kurse ato lokale në 2023”./ DW
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...