Në zemër të përmbytjes; banorët e Ferrasit apelojnë për ndihmë

11:21 | 5 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Stuhia që kaploi vendin gjatë fundjavës shkaktoi dëme kolosale në të gjithë vendin, duke shkatërruar miliona lekë pasuri të qytetarëve, të bizneseve, por edhe veprave publike, ku vërshimi i ujrave përmbyti rrugë nacionale dhe shkatërroi ura ekzistuese dhe të sapondërtuara.

Përmbytjet u ndjenë pothuajse në të gjithë vendin, por dëme më të mëdha shkaktuan në Jug të vendit, duke i gjetur edhe një herë të papërgatitura institucionet shtetërore, edhe pse prej disa ditësh ishte paralajmëruar stuhia.

Një nga zonat më të goditura ishte pikërisht fshati Ferras në Fier, ku u përmbyten rreth 250 shtëpi dhe disa biznese me kultura bujqësore.
Fshati Ferras pas goditjes nga përmbytjet është gjallëruar nga rikthimi i banorëve, e bashkë me ta, tashmë është rikthyer uji dhe energjia elektrike.
Gjurmët që ka lënë vërshimi i Lumit Vjosë duken qartazi, në rrugë, në oborre, brenda shtëpive… Nga ky fshat u evakuuan 26 banorë, ndërsa të tjerët nuk pranuan të braktisnin banesat.

“Më kërkuan të evakuohesha, po ku të shkoja?! Të lija shtëpinë?! Kisha gjithçka aty. Këtu është komplet bufeja faqe muri që e ka zënë uje. E ka zënë 30-40 pond. Frigoriferi është këtu brenda, motori ka mbaruar, s’bën më”, thotë Maj Sema, banor i Ferrasit.

Sot, pas tërheqjes së ujit, fëmijë, gra e burra pastrojnë shtëpitë, për t’i kthyer ato në normalitet. 12-vjeçarja Anxhela Braka tregon frikën dhe apelon për ndihmë.
“Kur erdhi lumi ne ishim të gjithë në gjumë. Dëgjuam disa zëra që po bërtisnin, disa njerëz dhe dolëm menjëherë jashtë në derë . Vete i thërras babit, ai na merr të gjithëve dhe na çon tek shtëpia e nënës. Më është dashur e gjithë pasditja ta pastroj shtëpinë. Të na ndihmojnë të paktën me ushqime , sepse kemi shumë pak dhe nuk na dalin”, thotë ajo, shkruan topchannel.

Banorët e këtij fshati shprehen të mërzitur, për ta nuk është hera e parë që lumi vërshon drejt tyre. Kjo ka ndodhur edhe në 2015 por prurjet e Vjosës këtë vit ishin shumë më të mëdha.
Por ndryshe nga herët e tjera, dëmet janë më të pakta, kjo sepse kjo përmbytje banorët e Ferrasit nuk i zuri në befasi.
“Ça bëra? Ja i ngrita lart në blloqe, me kolltuqe, me dollap me tavolina. Dëmshperblime mos të gënjej na dhanë tek 2 milionë”, thotë Nazime Braka.
Nga 370 familje, 250 janë të dëmtuara nga përmbytjet, sipas Zyrës së Emergjencave në Prefekturën e qytetit Fier. Sipas banorëve ende nuk ka ardhur një grup pune për të përllogaritur dëmet.

 

“Po bëjmë që në 2015 që na ra shtëpia nga lumi Vjosë, me gjithë ça kisha brenda asnjë gjë nuk më shpëtoi fare. Kam tre vjet, më dha shteti një çadër dhe çadra u kalb sa ma mori lumi parmbrëmë. Ku të vemi? Ku të shkojmë”, deklaron Rezmie Aliaj.

Zemërimi i Vjosës nuk kurseu as fermerët e zonës së Ferrasit.

“Dëmet?! Nga t’ja filloj më parë, nga viçat, a nga ushqimi i lopëve?! Nga ullinjtë?! Po shteti duhet të na sigurojë, edhe njëfarë të drejte që ne kur të vemi tek siguracioni mos të na kthejnë mbrapsht, sepse sa u themi që jemi nga fshati Ferras na thonë që nuk mundemi të bëjmë siguracion, sepse ju jeni problematikë çdo vit”, deklaron fermeri Ylli Bana.

Përveç Ferrasit, në Fier nga përmbytjet u prekën edhe zona Kashisht, Boçovë, Çervenë, Poro , Hoxharë e Re, duke lënë pas tek banorët vetëm shpresën se shteti do të kthejë kokën nga ata për t’i dëmshpërblyer nga kjo fatkeqësi natyrore, për të cilën nuk u mor asnjë masë paraprake për minimizimin e dëmeve masive./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme