Importet e kafesë për periudhën janar-qershor të 2022 sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë rreth 7% më pak se krahasuar me vjet. Në bazë vjetore për 2021, importet janë rritur rreth 9,5% më shumë se 2020. Pavarësisht se për vitin 2020, Covid-19 dhe periudha e karantinës kufizoi lëvizjet e njerëzve, por nuk largoi dot dëshirën për të konsumuar kafe, qoftë edhe në kushtet e shtëpisë. Sipas distributorëve të artikujve ushqimorë, në muajt e karantinës, u rrit më tepërkonsumi i kafesë në shtëpi me tableta. Në këtë periudhë janë shitur mjaft makineta kafeje.
Për shoqatën e Bareve dhe Restoranteve aktualisht rënia e importit është ndikuar nga mbyllja e shumë bareve apo lokaleve në vend. Enri Jahaj përfaqësues i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve tha për Monitor se për shkak të rënies së xhiros në kryeqytet shumë struktura shërbimi po jepen me qira, pasi për pronarët është e paleverdishme mbajtja e biznesit.
“Në zonën e Kinostudios gati gjysma e lokaleve po jepen me qira. Situata është e ngjashme edhe në zona të tjera, të qendrës apo Kombinatit. Jo vetëm bizneset e bareve dhe lokaleve, por edhe të restoranteve, lounge, klubet e natës janë në gjendje shoku nga rënia e konsumit.
Shqiptarët nuk kanë më para të shpenzojnë. Në kahun tjetër me rritjen e lartë të çmimeve të furnizimeve për pronarët është e vështirë mbajtja hapur e biznesit. Mbyllja e bizneseve do të vazhdojë jo vetëm këtë vit, por edhe për 2023”, pohoi ai. Për 2022 rënia e konsumit në këto sipërmarrje filloi të reflektohet që në muajt shkurt-mars kur pati rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të lëndëve të para nga importi. Ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve rriti presion për shtrenjtim të çmimeve në bare dhe restorante. Konsumi pati zvogëlim edhe vitin e kaluar për shkak të pandemisë.
Përfaqësuesit e Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve nënvizuan më herët se Covid-19 për baret dhe restorantet për vitin 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica prej tyre u mësuan të konsumojnë kafene dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe për këtë arsye konsumi ra ndjeshëm. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.
Në vend kanë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës. Gjithashtu sektori po përballet edhe me një tjetër krizë atë të mungesës së fuqisë punëtore. Shumë subjekte bare dhe restorante e kanë të vështirë të gjejnë punonjës të rinj. Edhe ata pak punonjës që kanë mbetur në vend kërkojnë pagesa të larta. Kjo gjendje vështirësoi edhe më tepër aktivitetin e këtyre strukturave për 2022. /monitor/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...