Janë botuar në Fletoren Zyrtare ndryshimet dhe shtesat në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, të cilat do të hyjnë në fuqi në datën 8 tetor.
Ndryshimet kanë rishikuar masat për neglizhencë në trajtimin mjekësor, ndërhyje në jetën private, shkelje e së drejtës së autorit, organizimin e lojërave të fatit, ndotjen e ajrit e tokës, braktisjen e kafshëve, dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore, goditjet dhe kanosjet për shkak të detyres etj.
Ndryshimet kanë ashpërsuar dënimet për importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve dhe mashtrimin me produktet ushqimore.
Neglizhenca në trajtimin mjekësor
Neglizhenca në trajtimin mjekësor të të sëmurëve nga ana e profesionistit shëndetësor, kur ka rrezikuar jetën e personit, apo ka dëmtuar rëndë shëndetin e tij, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar vdekjen e personit, dënohet me burgim deri në dy vjet.”.
Ndërhyrje të padrejta në jetën private
Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi figurave, si dhe ruajtja për publikim i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, dënohet me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet ndaj personave të mitur, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik apo nga personi që disponon këto të dhëna për shkak të detyrës shtetërore apo shërbimit publik, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.”.
Shkelja e të drejtave të autorit
Riprodhimi tërësisht ose pjesërisht, shpërndarja, komunikimi në publik, shitja, ofrimi për shitje, përdorimi, furnizimi, eksportimi ose importimi për qëllime fitimi i veprës së mbrojtur nga e drejta e autorit, pa pëlqimin e autorit ose mbajtësit të së drejtës, kur janë shkelur të drejtat vetjake ose pasurore të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim deri në tre vjet.”.
Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin
Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, nëse në lojë marrin pjesë persona nën moshën 18 vjeç, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që ka lidhje me veprimtarinë e lojërave të fatit, dënimi me burgim shtohet me një të katërtën e dënimit të dhënë.”.
Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës
Ndotja e ajrit, ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, ndotja në sipërfaqe apo në thellësi e tokës, dëmtimi i rëndë i kafshëve ose i bimëve, nëpërmjet shkarkimit, emetimit ose futjes së rrezatimit jonizues ose të një sasie materialesh në ajër, tokë apo ujë, tej kufirit të normave të lejuara me ligj, dënohen me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur është kryer në zona të mbrojtura posaçërisht me ligj, si zona me vlera mjedisore, kulturore, artistike, historike, arkitektonike apo arkeologjike, ose kur ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë dëmtim të rëndë të ekosistemit, biodiversitetit, të florës ose faunës, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur vepra penale e parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë plagosjen e lehtë të një ose disa personave, dënohet me burgim nga një deri në shtatë vjet. Kur kjo vepër ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë plagosjen e rëndë të një ose disa personave, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë vdekjen e një ose disa personave dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Menaxhimi i mbetjeve
Grumbullimi, transportimi, rikuperimi ose asgjësimi i mbetjeve, përfshirë mbikëqyrjen e këtyre veprimeve, kujdesin e venddepozitimeve, si dhe veprimet e ndërmarra në shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi për menaxhimin e mbetjeve, kur shkakton ose ka mundësi të shkaktojë dëme të rënda në cilësinë e ajrit, cilësinë e tokës ose cilësinë e ujit, në kafshë ose në bimë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur shkakton ose ka mundësi të shkaktojë dëmtim të rëndë në shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Ku nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë si pasojë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kur kjo vepër kryhet nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Transportimi i mbetjeve
Transportimi i mbetjeve që hyjnë, dalin apo tranzitohen nga territori i Shqipërisë, në sasi jo të papërfillshme, i kryer në një transportim të vetëm ose në disa transportime në dukje të lidhura me njëri-tjetrin, në shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi për menaxhimin e mbetjeve ose të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente, dënohet me gjobë ose burgim deri në pesë vjet.
Aktivitetet e rrezikshme
Funksionimi i një impianti ku zhvillohet aktivitet i rrezikshëm ose ku ruhen apo përdoren substanca apo preparate të rrezikshme, në shkelje të kërkesave të legjislacionit përkatës ose të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente, të cilat shkaktojnë ose ka mundësi të shkaktojnë dëme të rënda jashtë impiantit në cilësinë e ajrit, cilësinë e tokës ose cilësinë e ujit, në kafshë apo në bimë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet. Po kjo vepër, kur shkakton ose ka mundësi të shkaktojë dëmtim të rëndë në shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kur kjo vepër kryhet nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Materialet bërthamore dhe substancat radioaktive të rrezikshme
Prodhimi, përpunimi, trajtimi, përdorimi, ruajtja, magazinimi, transportimi, importimi, eksportimi ose asgjësimi i materialeve bërthamore ose substancave të tjera radioaktive të rrezikshme, në shkelje të kërkesave të legjislacionit përkatës ose të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente, kur shkakton ose ka mundësi të shkaktojë dëm të rëndë në cilësinë e ajrit, cilësinë e tokës ose cilësinë e ujit, apo në kafshë ose në bimë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Po kjo vepër kur shkakton ose ka mundësi të shkaktojë dëmtim të rëndë në shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë si pasojë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë vjet deri në njëzetë vjet. Kur kjo vepër kryhet nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.”.
Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër
Vrasja, shkatërrimi, zotërimi, marrja e ekzemplarëve të specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër ose pjesëve apo nënprodukteve të tyre, duke shkelur kërkesat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e faunës së egër dhe për zonat e mbrojtura apo të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë ka ndodhur mbi një sasi të papërfillshme të këtyre ekzemplarëve dhe ka ndikim të papërfillshëm mbi statusin e ruajtjes së specieve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.”.
Tregtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër
Tregtimi i ekzemplarëve të specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër ose pjesëve apo nënprodukteve të tyre, duke shkelur kërkesat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e faunës së egër dhe për zonat e mbrojtura apo të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë ka ndodhur mbi një sasi të papërfillshme të këtyre ekzemplarëve dhe ka ndikim të papërfillshëm mbi statusin e ruajtjes së specieve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore
Veprimet që shkelin kërkesat e legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura apo të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente dhe që shkaktojnë përkeqësim të rëndë të një habitati, që ndodhet brenda një zone të mbrojtur mjedisore, dënohen me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.”
Substancat ozonholluese
Prodhimi, importimi, eksportimi, nxjerrja në treg ose përdorimi i substancave ozonholluese, duke shkelur kërkesat e legjislacionit përkatës apo të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente, dënohet me burgim nga një deri në shtatë vjet.”.
Braktisja e kafshës të shoqërimit
Kur nga braktisja e kafshës së shoqërimit ose nga mosvendosja e maskës mbrojtëse kafshës së shoqërimit, në ambiente publike ose në mjedise të hapura për publikun, kanë ardhur pasoja në dëm të shëndetit të një personi, dënohet me gjobë ose burgim deri në gjashtë muaj. Kur nga vepra penale ka ardhur plagosja e rëndë e një personi, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur nga vepra penale ka ardhur vdekja e një personi, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit
Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Keqtrajtimi i kafshës
Keqtrajtimi ose torturimi i një kafshe, duke i shkaktuar dëmtime të përhershme shëndetësore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e kafshës, dënohet me burgim deri në gjashtë muaj.
Ndeshjet ndërmjet kafshëve
Promovimi, organizimi ose drejtimi i ndeshjeve ndërmjet kafshëve që shkaktojnë vuajtjen ose torturimin e kafshëve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Dhënia e kafshëve për ndeshje, rritja ose trajnimi i kafshëve me qëllim përdorimin apo shitjen për ndeshje, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Vënia e basteve në ndeshje të zhvilluara midis kafshëve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy muaj. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e kafshës, dënohet me burgim deri në gjashtë muaj.”.
Goditjet për shkak të detyrës
Goditjet ose vepra të tjera dhune ndaj punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit publik, dënohen me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik, për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën shtetërore, funksionin publik apo shërbimin publik, dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet.”.
Kanosja për shkak të detyrës
Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, dënohet me burgim deri në dy vjet.
Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga dy deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën shtetërore, funksionin apo shërbimin publik, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.”.
Qetësia publike
Në nenin 274 “Prishja e qetësisë publike”, pas paragrafit të parë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Ushtrimi i veprimtarisë ekonomike që lëshon/gjeneron zhurmë në kundërshtim me ligjin apo në tejkalim të normave të lejuara me ligj, që cenon dukshëm qetësinë në zona të banuara ose në mjedise publike, kur është marrë më parë masa administrative, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.”.
Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv
Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive
Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”.
Mbajtja e armëve
Në nenin 278, paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë: “Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet më shumë se një herë ose në sasi të mëdha, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”.
Pas nenit 278/a shtohet neni 278/b me këtë përmbajtje:
“Neni 278/b Prodhimi, mbajtja, tregtimi i armëve bërthamore ose kimike
Prodhimi, mbajtja, tregtimi i armëve bërthamore ose kimike të dëmtimit në masë të popullsisë, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet.”.
Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve
Importimi, prodhimi, ruajtja, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër i ushqimeve ose futja në prodhimin e artikujve ushqimorë e kimikateve, materialeve apo lëndëve shtesë, që rrezikojnë shëndetin ose jetën e njerëzve, në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm, dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur nga kjo vepër ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet e pesë vjet.”. Neni 21
Mashtrimi me produktet ushqimore
Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, falsifikimi, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, materialeve ose lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë, në të cilët janë shënuar të dhëna të cilat nuk i korrespondojnë përmbajtjes, llojit, kategorizimit, prejardhjes, sasisë apo cilësisë së produktit apo produkte pa të dhënat e mësipërme, siç parashikohet në legjislacionin në fuqi, ose paraqitja e të dhënave të rreme në etiketimin e produkteve ushqimore, që rrezikojnë shëndetin ose jetën e njerëzve, dënohet me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda për shëndetin e njeriut, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Prishja e shenjave të sigurisë së organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore
Prishja me dashje e shenjave të sigurisë, të vendosura nga organet shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore për qëllime mbikëqyrjeje, kontrolli ose pezullimi të veprimtarisë tregtare në mjediset ekonomike, mbi mjetet e transportit ose mbi mallra, me qëllim lëvizjen e mallrave ushqimore ose rifillimin e aktivitetit, dënohet me burgim deri në tre vjet.”.
Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
Vënia e pengesave ose ndalimi, me çdo mjet e mënyrë, i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”. /Monitor/
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...
Kurti e kandidatët për deputet organizojnë pritje për mërgim...