Ndryshimet ligjore të 5 qershorit, nga SPAK tek ‘sinjalizuesit’ për krimet zgjedhore

20:59 | 26 Korrik 2020
Arbresh Info

Marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore pritet të sjellë të paktën ndryshime në 7 ligje që lidhen ekskluzivisht me çështjen e shit-blerjes së votës.

Amendamentet e propozuara që do të prekin kodin e procedurës penale, ligjin për policinë etj, kanë në focus hetimin e krimeve zgjedhore. Këto të fundit tashmë do t’i kalojnë në dorë vetëm prokurorisë së posaçme (SPAK)

“Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, në këmbim të votës nuk do të hetohen nga prokuroritë e rretheve por nga Prokuroria e Posaçme anti-korrupsion”, thuhet në projektligj.

Një tjetër ndryshim do të jetë ai për sinjalizuesit ose ‘bilbifryrësit’ që do duhet të raportojnë edhe për çështjet zgjedhore. Qëllimi është shmangia e presioneve ndaj administratës publike në zgjedhje. Në KQZ do të ketë një njësi të posaçme që do të merret pikërisht me këto sinjalizime.

“Sinjalizimi mund paraqitet drejtpërdrejt në KQZ ose në Njësinë e Administrimit Zgjedhor, Në rastet kur sinjalizimi paraqitet në Njësinë e Administrimit Zgjedhor ajo ia përcjell atë menjëherë njësisë përgjegjëse në KQZ”.

Një tjetër ndryshim do të jetë ai për regullimin e financimit të partive politike në fushatat zgjedhore. Shteti do të japë më shumë para, ndërsa subjektet private tashmë kanë një ‘tavan’ (jo më shumë se trefishin e financimit të shtetit për një parti). Kësisoj hiqet nga ekuacioni i dikurshëm, financimi pa kufi i subjekteve private e individëve për partitë politike.

Pritet që ditën e hënë këto ndryshime të depozitohen në Kuvend dhe t’i kalojnë për votim seancës plenare.

 

Të ngjashme