Opozita e Bashkuar propozon mbledhjen e këshillit Politik pasditen e sotme në orën 18:00.
Në letrën drejtuar Gjiknuri, Bylykbashi dhe Vasili deklarojnë se Opozita e Bashkuar është e gatshme që të vijojë dialogun politik, në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, duke mos ndërmarrë hapa të njëanshëm që shkelin Marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe zhbëjnë Marrëveshjen e 5 Qershorit.
Ata theksojnë se çdo akt i njëanshëm, aq më tepër akte që prekin drejtpërdrejt zgjedhjet, cënojnë rëndë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe qeverisjet që dalin prej tyre.
Në përgjigje të tyre përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri konfirmoi pjesëmarrjen në Këshill duke shpresuar edhe në një reflektim të kolegëve opozitarë.
Ndryshimet kushtetuese pritet të miratohen seancën e nesërme.
Letra e Vasilit dhe Bykykbashit
Në vijim të mbledhjes së djeshme, ripërsërisim vullnetin e Opozitës së Bashkuar, për të vijuar punën bashkërisht për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët, me qëllim arritjen e konsensusit për çdo ndryshim, kushtetutes apo ligjor, që prek zgjedhjet. Ky ishte qëllimi për të cilin bashkërisht ramë dakord për ngritjen e Këshillit Politik.
Në këtë kuptim, ritheksojmë edhe njëherë gatishmërinë tonë për të vijuar dialogun, me qëllim ecjen përpara në një proces gjithëpërfshirës dhe një produkt konsensual.
Propozimi juaj për t’i bërë fakt të kryer ndryshimet e njëanshme kushtetuese shkatërron konsensusin, shkel marrëveshjet e 14 Janarit dhe 5 Qershorit të nënshkruara nga vetë Partia Socialiste, dhe sjell pasoja të rënda për stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit.
Opozita e Bashkuar paraqiti këtë propozim në mbledhjen e datës 28 Korrik 2020:
1. Të ndalet ndryshimi i njëanshëm kushtetutes.
2. Të punohet bashkërisht, pa humbur kohë, për hartimin e një amendamenti të përbashkët që mundëson hapjen e listave, pa asnjë ndryshim tjetër shtesë.
3. Të shfrytëzohet kjo kohë që të detajohen rregullat shoqëruese në Kodin Zgjedhor, me qëllim që ndryshimi kushtetues dhe rregullat shoqëruese të Kodit Zgjedhor për hapjen e listave, të shkojnë si një paketë e vetme për miratim në Parlament.
Opozita e Bashkuar është e gatshme që të vijojë dialogun politik, në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, duke mos ndërmarrë hapa të njëanshëm që shkelin Marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe zhbëjnë Marrëveshjen e 5 Qershorit.
Ju sjellim në vëmendje se çdo akt i njëanshëm, aq më tepër akte që prekin drejtpërdrejt zgjedhjet, cënojnë rëndë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe qeverisjet që dalin prej tyre. Gjithashtu, çdo akt i njëanshëm, është një hap me pasoja të rënda që në vend që të kontribojë në procesin e integrimit europian, e pengon atë duke izoluar Shqipërinë dhe shqiptarët. Për këto arsye, gjithëpërfshirja dhe konsensualiteti është rruga e pashmangshme, në të mirë të Shqipërisë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.
Në këtë kuadër, propozojmë mbledhjen e Këshillit Politik, ditën e sotme, 29 Korrik 2020, ora 18:00.
Letra e Gjiknurit
I nderuar koleg,
Në respektim të rendit të ditës, mbledhjen e djeshme u njohëm me opinionin e sjellë nga ekspertët e pavarur të atashuar pranë Këshillit Politik lidhur me pyetjet e mia nëse amendamentet kushtuese që ndodhen në procedurë parlamentare pengojnë apo lejojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve dhe garën me koalicione parazgjedhore.
Ekspertët, në opinionin tanimë të bërë publik konstatuan se amendamentet nuk pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve ashtu sikurse nuk pengojnë grupimin në koalicione parazgjedhore. Sipas ekspertëve, modalitetet e përcaktimit të nivelit të hapjes së listave nga 2/3 deri në 3/3 dhe modalitetet e grupimit të partive në koalicione parazgjedhore, e regjistrimit të kandidatëve duhen përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
Duke marrë në konsideratë shqetësimet tuaja që lidhen me kërkesën për hapje 100% të listave dhe mospengimin e koalicioneve parazgjedhore, mazhoranca në mbledhjen e djeshme të Këshillit Politik ofroi një propozim konsensusi sa vijon:
Miratimi i amendimeve kushtetuese të cilat edhe sipas opinionit të ekspertëve të pavarur nuk pengojnë as hapjen 100% të listave të kandidatëve dhe as koalicionet parazgjedhore.
Reflektimin më pas të këtyre amendimeve kushtetuese në ligjin elektoral përmes një procesi diskutimi në Këshillin Politik.
Përsa i takon shqetësimit të opozitës jashtëparlamentare për çështjen e modaliteteve të krijimit dhe regjistrimit të kandidatëve nga koalicionet parazgjedhore, kjo është një çështje që përcaktohet në Kodin Zgjedhor. Në fazën e ndërhyrjes në Kod, përveç ekspertizës që do të merret nga ODIHR, të shqyrtohen të gjitha opsionet e artikuluara nga opozita jashtëparlamentare gjatë diskutimeve të deritanishme në Këshill, siç janë modeli letonez/ hollandez dhe belg. Gjithashtu, të hulumtohet çdo model i një vendi të OSBE që aplikon sistem proporcional rajonal me lista të hapura si ky që ka Shqipëria.
Gjatë mbledhjes së djeshme, ju si përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare nuk dhatë një përgjigje për këtë propozim konsensusi të ofruar nga mazhoranca.
Duke shpresuar se gjatë këtyre orëve keni reflektuar mbi këtë propozim dhe do të jepni qëndrimin tuaj, konfirmoj prezencën në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik në ora 18:00 në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve./oranews
Sot mbahet mbledhja e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës
Çfarë do ndodhë më 23 dhjetor? Berisha zbulon skenarin e pro...
Kosova e mbyll vitin në vendin e 99-të në renditjen e FIFA-s
Dëbimet e emigrantëve në SHBA, arrijnë nivelin më të lartë t...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Kurti merr pjesë në përurimin e rrugës Nacionale N2 Prishtin...