Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar sot arrestimin në flagrancë të dy shtetasve për veprimtarinë kriminale të dhënies së ndihmës për shtetas të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Shtetasit A. M., 51 vjeç dhe M. K., 28 vjeç, banues në fshatin Lazarat në Gjirokastër, kanë pritur dhe strehuar pesë emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që kishin si qëllim kalimin në vendet e Bashkimit Evropian, ka njoftuar policia.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. M. u gjet 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni luftarak, 1 automjet dhe 2 aparate celulare”, ka shtuar policia.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”./arbresh.info/