Google ADS

Ndërtimi nuk u karantinua, 965 aplikime në e-Albania për leje ndërtimi gjatë prillit

15:42 | 13 Maj 2020
Arbresh.info

Në pamundësi për të lëvizur lirisht si pasojë e ndalim qarkullimit për shkak të koronavirusit më shumë se 2.8 milionë qytetarë i janë drejtuar gjatë muajit prill portalit e-Albania për të kërkuar leje për të lëvizur gjatë orareve të caktuara nga qeveria.

Të dhënat janë bërë të ditura nga vetë portali, i cili ka publikuar statistikat mujore për vizitorët online të cilët gjatë muajit që lamë pas kanë kapur shifrën 15.2 milionë, nga të cilët 141 mijë kanë qenë përdorues të rinj.

Kështu sipas këtyre të dhënave rezulton se edhe pse një muaj karantine dhe vendi ishte në shtetrrethim, sektori që nuk ka qëndruar në izolim ka qenë ai i ndërtimit.

Kjo pasi të dhënat e publikuara nga e-Albania tregojnë se vetëm gjatë këtij muaji ka pasur 956 aplikime për leje ndërtimi.

Në listën e dhjetë shërbimeve më të përdorura në portal pas lejes për liri dalje renditen aplikimet për vërtetim për pagimin e kontributeve për individin si dhe lejet e kërkuara nga bizneset për të ushtruar aktivitetin e tyre.

Më pas vijnë vërtetimet për aktivitet ekonomik të hapur, lejet për qarkullim për subjektet e hapura, deklarimi i pagesave të kontributeve nga punëdhënësit dhe më pas certifikatat të tipit familjare apo individuale.

Ndërkohë që aplikimet për regjistrim si punëkërkues të papunë qëndrojnë në fund të listës së 10 shërbimeve më të përdorura.

Portali e-Albania ka publikuar edhe listën e 10 shërbimeve më të kërkuara në Ministrinë e Jashtme, ku përgjatë muajit prill kryesojnë aplikimet për pasaportë dhe kartë identiteti.

Në total raportohen mbi 33 mijë aplikime të kësaj natyre, duke u ndjekur nga aplikimi për leje kalimi me mbi 5 mijë të tilla.

Në fund të listës së këtyre shërbimeve qëndron aplikimi për asistencë për shtetasit shqiptarë të humbur.

Këto shërbime elektronike janë marrë kryesisht nëpërmjet aparateve celularë./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme