Google ADS

Ndarja nga jeta e ish-Sekretarit Amerikan, Basha: Mik i madh i Shqipërisë, kontribut për anëtarësimin e vendit tonë në NATO

09:04 | 1 Korrik 2021
Trina Galanxhi

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.

Ndërsa shpreh ngushëllimet, Basha thotë se Rumsfeld ishte përfaqësues i një plejade të artë vendimmarrësish që e bënë botën më të sigurt, më të lirë e demokratike dhe se do të përkujtohet e nderohet përherë si një mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, kontributi i të cilit ka qenë i paçmueshëm për anëtarësimin e vendit tonë në NATO.

Me trishtim mësova ndarjen nga jeta të ish-Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, përfaqësues i një plejade të artë vendimmarrësish që e bënë botën më të sigurt, më të lirë dhe demokratike.

Sekretari Rumsfeld do të përkujtohet dhe nderohet përherë si një mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, kontributi i të cilit ka qenë i paçmueshëm për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Mirënjohje dhe nderim të thellë për këtë kampion të lirisë dhe ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe popullit amerikan. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld njihet për një karrierë mbresëlënëse në Uashington duke shërbyer nën katër presidentë, por trashëgimia e të cilit u përcaktua kryesisht nga mandati i tij si sekretar i Mbrojtjes gjatë luftës në Irak.

Ish- shefi i Pentagonit, Rumsfeld ka qenë tre herë në vendin tonë, për herë të parë për vizitë zyrtare në Shqipëri ka qenë në 10 qershor të vitit 2003, vizitën e dytë e ka zhvilluar në 26 shtator të 2006 dhe të fundit në 2013.

Rumsfeld është dekoruar nga ish-presidenti Bujar Nishani me “Urdhrin e Flamurit”, në mirënjohje dhe vlerësim të mbështetjes së madhe, që ai dhe SHBA kanë dhënë për Ushtrinë Shqiptare dhe anëtarësimin e saj në NATO.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme