Ndahet nga jeta Dom Gjergj Simoni, kleriku që qëndroi përballë regjimit komunist

07:16 | 29 Janar 2022
Trina Galanxhi

Është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare Dom Gjergj Simoni, dëshmitar dhe bashkëvuajtës me Martirët e Kishës gjatë kohës së komunizmit. Pas rrëzimit të komunizmit, Dom Gjergj Simoni bashkë me vëllanë e tij, ipeshkvin Zef Simoni, ndihmoi për rihapjen e kishave dhe institucioneve fetare dhe shërbeu për 17 vjet në famullinë e Dajçit, në Shkodër, duke u bërë ndër të parët meshtar që nisën shërbesat fetare në disa famulli.

Duke njoftuar ndarjen e tij nga jeta, arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra u shpreh se vdekja e Dom Gjergj Simonit ёshtё humbje e madhe, sepse ai ishte një thesar i çmuar pёr Kishёn e pёr tё gjithё shqiptarët.

Dom Gjergj Simoni lindi më 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës, në një familje me origjinë qytetare. Në mesin e viteve ‘60-të, Gjergj Simoni vazhdonte të punonte si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, ndërsa vëllai i tij Zefi punonte si llogaritar pranë Arqipeshkvisë së Shkodrës.

Gjatë periudhës së diktaturës, Dom Gjergj Simoni u arrestua dhe u dënua me 10 vite burgim, nga të cilat ai vuajti 9 vite e 19 ditë në kampet e Ballshit, Qafë Barit dhe Spaçit.

Gjyqi ndaj tij filloi në prillin e vitit 1977 me aktakuzën “Agjitacion e propagandë të mbyllun”. Në vitet e fundit të jetës, dom Gjergj Simoni kujton se si gjatë seancës së gjyqit u lexuan gjashtë poezi të tijat, ku aludonte hapur kundër regjimit. “Ndërsa poezinë “Letër Luciferrit”, kujton ai, nuk e lexuan, pasi ajo fliste kundër Enver Hoxhës dhe ata nuk mund ta lexonin”.

Pas vitit 1967, kur në Shqipëri nisi mbyllja e kishave dhe institucioneve të tjera fetare, Gjergj Simoni, në fshehtësi, mori nga arqipeshkvia dokumente dhe objekte me vlerë dhe i groposi në oborrin e shtëpisë së tij për t’i shpëtuar nga rënia në duart e ish sigurimit të shtetit.

Pas vuajtjes së dënimit me burg e punë të detyruar, më 21 prill 1991, Dom Gjergji u shugurua meshtar. Ndërsa, 30 vjet mbas lirimit nga burgu, Autoriteti i Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i dorëzoi Dom Gjergj Simonit dosjen nr. 11628.A, 11628.1 dhe 13588/1, që përmbajnë materialet e përdorura nga ish sigurimi i shtetit si “prova” kundër tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme