Google ADS

Motrat zihen për shtëpinë që nuk i përket asnjërës

22:12 | 10 Mars 2019
Trina Galanxhi

Luljeta dhe Polikseni janë dy motra mes të cilave ka një konflikt shumë të madh. Shkak është bërë një pronë e hallës së tyre, që pretendohet nga të dyja.

Ligjërisht, prona në fjalë është e mbesës së burrit të hallës. Bëhet fjalë për një histori të nisur vite më parë, ku duket se pasuria e bashkëshortëve Pandora dhe Spiro Kika, të cilët nuk jetojnë më, përfshiu disa persona dhe mbi të gjitha u bë shkak edhe për problemet në marrëdhënien mes motrave. Si qëndron e vërteta dhe a do të mund të lenë mënjanë ndasitë dy motrat që këtë të diel ishin pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq”?

“Bëhet fjalë për një banesë në zonën e ish-Bllokut, tek Libri Universitar. Aty ndodhej halla ime me bashkëshortin. Nuk kishin fëmijë dhe gjatë gjithë kohës na kanë pasur ne mbështetje. Familja vendosi Poliksenin për t’i mbajtur hallën me burrin, por Polikseni i braktisi. I mbajti një farë kohe dhe iku. Ne i thamë motër shërbeji sepse ti ke pak mundësi më shumë. Unë nuk e di sesi ajo e ka bërë këtë gjë dhe i ka braktisur”, tregon Luljeta.

Ajo shpjegon se familja kishte vendosur gjithashtu se pronën e hallës do ta ndanin në mënyrë të barabartë. Por Polikseni thotë se kjo nuk ka për të ndodhur, sepse e meriton ajo që është kujdesur për ta.

“Unë nuk i kam braktisur, përkundrazi u kam ndenjur afër, sepse ishin dy pleq…”

Polikseni thotë se në këtë histori është futur edhe një person i tretë, që është mbesa e burrit të hallës. Por Luljeta e akuzon motrën e saj Polikseni se e ka lënë hallën në kushte shumë të vështira, deri në fund të jetës. Dhe nuk e ka njoftuar asnjë prej motrave që t’u shkonin në ndihmë.

Luljeta tregon se përpara se halla të vdiste i la pasurinë në testament, të cilin e tregon në studio. Por Polikseni thotë se të njëjtën gjë e posedon edhe ajo.

Por kush është ky personi i tretë në gjithë këtë histori?

“Është futur në këtë mes për të bërë një sherr dhe unë këtyre të shtëpisë time nuk u kam treguar që të mos bëhej sherr. Sepse kur isha në Tiranë me hallën dhe motrën që më ka vdekur, ajo na ka futur dru. Na ka treguar burri i saj thikën. Dhe i ka thënë motrës së madhe që më ka vdekur, që ta dijë dhe zoti Ardit, do të të përdhunoj”, tregon Polikseni, duke iu referuar mbesës së bashkëshortit të hallës.

Zonja Çobani shpjegoi se historia e motrave ka nisur vite më parë. Ajo zbuloi për publikun se kishte qenë Valentina, motra e madhe e Poliksenit dhe Luljetës, që kishte kontaktuar fillimisht me juristen Çobani. Por ajo u nda nga jeta.

“Unë këtu kam një prokurë të 2014-s, ku Zonja Pandora Kita e ndjerë (halla), i ka lënë një prokurë Zonjës Valentina Maçinko. Duhet ta bëjmë edhe atë pjesë të kësaj seance ndërmjetësimi. Personi i parë që është paraqitur tek unë është pikërisht Vali dhe unë këtu dua të shpreh atë dashuri të jashtëzakonshme që kam parë të kësaj vajze, mbese, që i rrinte afër në çdo moment hallës dhe që e ka kërkuar këtë të drejtë vite e vite më parë. vali sot në ka lënë. Pra motra e këtyre zonjave, sepse nuk do të ishin sot këto këtu, do ishte Vali. Por unë besoj se Vali sot po na ndjek, është me ne dhe ne do të çojmë deri në fund një amanet të Valit. Jam shumë e emocionuar që e them sepse më duket sikur e kam në sy, kaq shpesh jam takuar me Valin…”

Juristja zbuloi se fillimisht gjithçka iu ishte besuar Valit, por pas vdekjes së saj, familja caktoi Poliksenin.

Megjithatë në qendër të kësaj historie duket se qëndron pikërisht mbesa e burrit të hallës…

“Ajo vjen pas 37 vjetësh, e dinte që kishte një dajë në Tiranë, po nuk e dinte se ku ndodhej. I gënjen që do t’i marrë t’i çonte në Greqi… bëri veprimet dhe krisi iku në Belgjikë“, tregon Luljeta.

“Ka ardhur kur ishin gjallë, i gënjeu për t’u marrë pasuritë”, shton Polikseni.

Po si qëndron puna me testamentin?

“Këtu ka një sërë dokumentesh që janë bërë dhe unë besoj se janë veprime të bëra në mënyrë abuzive. Sepse dy mosha pak të thyera, zoti Spiro dhe zonja Pandora, janë çuar në mënyrë të vazhdueshme përpara noterit, për hartime testamentesh në emra të ndryshëm. Më pas janë çuar për revokime të këtyre testamenteve, më pas për testamente të reja, për kontrata dhurimi dhe në fund, e gjithë historia vazhdon me një kërkesë padi të zonjës Pandora vetë, ku kërkon prishjen e kontratës së dhurimit që i kanë bërë mbesës së burrit”, tregon juristja Çobani.

“Akti i fundit është kontrata e dhurimit, që i ka bërë halla mbesës së burrit. Kjo më pas ka sjellë të gjithë këtë problematikë, që nuk e kanë ditur as mbesat, të cilat kanë vazhduar t’i shërbejnë hallës me idenë, sepse ajo u kishte thënë që çfarë kam do t’ua lë juve… Jo vetëm për këtë, por kishte edhe më besim tek këto vajza. Më vonë, pasi pa që sjelljet e kësaj mbese ishin shumë të ashpra, deri në konflikte fizike të saja dhe bashkëshortit të saj me hallën, atëherë kjo e fundit vendos të hapë një kërkesë padi, ku kërkon konstatimin absolutisht të pavlefshëm të kontratës së dhurimit, që i kam bërë mbesës së burrit, Zonjës Melse Bala. Zonja e fitoi deri në Gjykatë të Apelit, me rikthim për rigjykim në Shkallë të Parë, ndërkohë që Melse Bala ka bërë rekurs dhe çështja ndodhet në Gjykatë të Lartë. Halla e ka fituar gjyqin në Korrik dhe në Shtator të 2015-s ka vdekur… Tani vazhdojnë trashëgimtarët e hallës”.

Zonja Melse Bala, në një bisedë telefonike në studio, tha se shtëpia në fjalë është e saj pasi për të ka certifikatë pronësie.

“Historinë po e doni, ka avokatë, ka letra. Unë vetë nuk vij, nuk merrem unë me budallallëqe se doni ju. Unë kam të gjitha letrat që kërkojnë ato. Kam 10 vjet që kam tapinë në emrin tim, certifikatën e pronësisë. Dhe tani ngrihen mbesat e Pandorës, që ishte një kasolle dhe bëra një vilë, kërkojnë çfarë? Nuk e kuptoj. Unë jam pronare e apartamentit, kam bërë edhe shtesën, të gjithë e kam vetë”.

Por Zonja Eni i solli në vëmendje Zonjës Melse një deklaratë noteriale të Spiros dhe Pandorës, ku thonë që Valentina është personi që ka kontribuuar ekonomikisht për bërjen e kësaj shkrese…

“Kush është e? Valentina? Gaboheni!”, thotë zonja Melse, që pretendon se si shtëpia edhe shtesa është pronë e saj, për të cilën ka paguar vetë.

Juristja Eni Çobani shpjegoi që një moment që një pronë dhurohet, nuk ka më kthim pas. Ajo shpjegoi se bashkëshortët e ndjerë e kishin bërë këtë veprim, pasi kërkonin dikë që të kujdesej për ta, që t’i qëndronte pranë.

“Në momentin që dhurohet nuk kthehet më pas dhe sigurisht që kjo është fatale për disa nga ata që e bëjnë. Një nga rastet është kjo që ne po diskutojmë, sepse një zonjë është gjetur e vdekur, brenda në shtëpi… Duke i bërë një kontratë dhurimi një çifti, mbesës së bashkëshortit, duke pretenduar që ata do të kujdeseshin për ta… Nëpërmjet ligjit ti dhuron një pronë dhe që nga ky moment nuk është më e jotja. Por ama, vini një rresht në fund: Deri në momentin kur unë të jem gjallë do të banoj në këtë shtëpi dhe mos të lejohet tjetërsimi i pronësisë. Pra të mos bëhet certifikata e pronësisë. Sepse nëse bëhet kjo, kushdo ka të drejtën që me pronën e tij të veprojë sipas dëshirës”, tha zonja Çobani.

“Zonja Pandora në mënyrë të vazhdueshme nga momenti i vdekjes së bashkëshortit ka shprehur pakënaqësi për zonjën në fjalë, pavarësisht se pronën e kishte dhuruar. Zonjat kanë pasur një llogari të përbashkët. Ky çift kishte një pasuri të konsiderueshme, por zonja Melse pretendon se llogaria ishte e saj dhe i kishte dhënë të drejtën edhe zonjës Pandora që ta shfrytëzonte sipas nevojave të saj”,shpjegoi Çobani.

“Ndërkohë që flasim për një grua, që më fal për shprehjen që u përdor, unë nuk mund ta besoj që shkonte deri tek kazanët e plehrave për t’u ushqyer… Të kesh një llogari bankare me një shumë kaq të madhe dhe të përfundosh të hash në kazanat e plehrave do të thotë që këtu ka një problematike shumë të thellë sociale, morale, dhe që nuk ka të bëjë fare me ligjin. Pra në këtë rast kjo seancë nuk ka të bëjë më shumë me ligjin sesa me moralin. Pra kemi një çift pa fëmijë që donte të lidhej me një nga mbesat dhe për t’i bërë një farë shërbimin dhe më pas do t’i dhuronin edhe atë pronë që kishin… dhe shikoni sesi ka përfunduar”, vijoi juristja.

Duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Apelit të 2015-s, Eni Çobani nxori në pah gjithë përpjekjet që ishin bërë ndër vite për t’u marrë bashkëshortëve Kita pasurinë.

“Unë dua t’ju them vetëm një gjë, nuk do të merrem me vendimin, por do të merrem vetëm me radhitjen e dokumentacionit. Kanë filluar dokumentet në vitin 2008 me testamentet dhe kanë përfunduar në vitin 2015. Më thoni ju, si mundet dy njerëz, të cilët nuk kanë të bëjnë fare me ligjin, të çohen në mënyrë të vazhdueshme përpara noterit, për të hequr njëherë emrat e mbesave të gruas, pastaj njëherë të mbesës së burrit. Ia hiqnin kësaj, ia vinin këtyre. Pra këtu ka pasur qëllime të mirëfillta që kjo pasuri duhet të kalonte në emrin e dikujt… ashtu sikundër dhe ndodhi dhe në vitin 2008. Zonja që folëm ka përfituar nga kontrata e dhurimit”.

Sa i përket konfliktit mes motrave Polikseni dhe Luljeta?

“Sot në këtë seancë ndërmjetësimi do t’ju bashkojë apo do t’ju ndajë prona e cila në fakt nuk është e asnjërës, sot është e zonjës Melse Bala dhe ju po bëni këtë konflikt para shqiptarëve pa kuptuar se asnjëra nga ju nuk e ka, edhe pse ka nga një testament në dorë, pasurinë e ka Melse Bala…”, tha Çobani.

Luljeta: Po e ka marrë me mashtrim Zonja Eni.

Polikseni: Jo zonja Eni, ty dorën ta jap asaj (Luljetës) jo…

Eni Çobani: E kuptove ca është prona Ardit dhe pronë të cilën nuk e ka asnjëra…

Ardit Gjebrea: E gjithë historia juaj më duket shumë zhurmë për asgjë. Kështu që më mirë bashkohuni të dyja dhe të paktën keni një gjë, sesa mirë që nuk keni asgjë, po të mos keni as njëra-tjetrën nuk fitoni asgjë. Të paktën të fitoni njëra-tjetrën.

Në fund, pas fjalëve të Çobanit dhe Gjebreas, Luljeta tha se nuk e hidhte poshtë motrën e saj, pavarësisht të gjithave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme